Sakrilegji/ Në bashkinë e Tiranës ka nisur trajnimi që 4 mijë punëtorët të fotografojnë votat e tyre personale

Tashmë Edi Rama s’i beson askujt, e nëse s’e ndal dot humbjen, tani është i etur për të zbuluar tradhtarët. Publikisht kanë nisur kurset për të trajnuar nomenklaturën bashkiake, në mënyrë që të paktën ata të vërtetojnë se e kanë dhënë votën për “kapon” e bashkisë. Dëshmitë e abuzimit janë me dhjetëra, pritet veç reagimi i ndërkombëtarëve
Tmerri i humbjes së thellë më 8 maj ka prodhuar tek Partia Socialiste sjellje skizofrenike, të cilat po i çudisin edhe vetë ekspertët e majtë për çështjet zgjedhore. Kështu, ditët e fundit, tek administrata e bashkisë së Tiranës si dhe tek disa nga njësitë bashkiake ndihmëse ka nisur trajnimi i efektivave, në mënyrë që ata me 8 maj të sjellin të fotografuar votën e tyre. Aritmetika ka mbërritur kulmin, dhe Edvini mendon se edhe ato 1 mijë vota administrative i bëjnë punë, ose në rastin më të keq, do të ketë mundësi që të hakmerret ndaj të gjithë atyre subjekteve që do të cilësohen se sollën kataklizmin edhe brenda radhëve të Partisë. Është një skemë e njohur ajo e vënies në provë të anëtarëve të partisë dhe të militantëve, por ishte menduar se pas 1991 ishte e vështirë që procedura të ndiqej kaq hapur. Por siç duket, paniku i humbjes dhe afrimi i 8 majit e ka detyruar Edvinin të mos ua vërë veshin aq shumë skrupujve, por të urdhërojë hapur e faqe të gjithëve trajnimin e të gjithë nomenklaturës së bashkisë së Tiranës (sipas akuzave të PD, vlerësohet se shkon në rreth 4 mijë veta), që të vërtetojnë votën e tyre për “kapon” nëpërmjet fotografimit. Përpjekje të tilla sporadike u vunë re edhe në zgjedhjet e 2009-s, por tani Edi Rama po u jep hapur ndërkombëtarëve provën se nomenklaturën e tij e ka vënë nën terror e se kërkon me çdo kusht e abuzim të ndalë deklinin elektoral. Megjithatë, duke pritur reagimin e ndërkombëtarëve për këtë sakrilegj paraelektoral të Edvinit, mbetet veç të presim listën e “armiqve partiakë”, që ai do hartojë, pas certifikimit të pensionit të tij bashkiak.