E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferdinand Xhaferaj: Në Plazh është bërë masakër, por zona do rehabilitohet

20-04-2011 / Gazeta 55

“Në Plazhin e Durrësit është bërë masakër urbane.” Me këto fjalë iu përgjigj kandidati Ferdiand Xhaferaj interesimit të banorëve për të ardhmen e zonës që tërheq numrin më të madh të turistëve në vend. Duke prezantuar programin e tij për rehabilitimin dhe gjallërimin e zonës, Xhaferaj tha se “Bashkia do të ndërhyjë për ta bërë Plazhin më mikpritës duke investuar në infrastrukturë”. Ferdinand Xhaferaj, i cili në zgjedhjet e 8 majit është përballë socialistit Vangjush Dako, pati një takim të zgjeruar me banorë të sektorit “Apolonia” në Plazh, ku u diskutuan probleme të ndryshme.

Rehabilitimi i Plazhit
Në qendër të interesimit të banorëve ishte situata në Plazh, si një ndër qendrat më të mëdha turistike në vend. Turizmi është një burim i rëndësishëm punësimi dhe jetese për qindra e qindra familje në atë zonë, por jo vetëm aty. Banorët shtruan problemet me të cilat ata ata përballen, si: rrjeti i amortizuar i kanalizimeve që shkakton përmbytje edhe në verë, raportet jo të drejta mes plazheve private dhe plazheve publike, mungesa e dusheve dhe banjove publike, mungesa e hapësirave të gjelbëra, mungesa e mjediseve çlodhëse, disiplinimi i trafikut në rrugën kryesore, etj.
Kandidati demokrat Xhaferaj tha se “të gjitha problemet janë të vërteta.” “Ju me të drejtë i shtroni këto probleme, ato kanë vite që ekzistojnë në zonën e Plazhit, - u shpreh Xhaferaj, - dhe janë akumuluar dhe rënduar edhe prej paaftësisë së kryebashkiaku Dako për t’i zgjidhur ato. Z. Dako për katër vjet në krye të Bashkisë mendoi vetëm për vete dhe biznesin e tij, dhe nuk mendoi aspak për hallet dhe problemet e njerëzve".
Xhaferaj tha se platforma e tij për zhvillimin e Durrësit mbështetet në tre shtylla: transportin, tregtinë, turizmin. “Pra, turizmi është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e qytetit, - tha Xhaferaj, - dhe Plazhi nuk mund të lihet në këtë gjendje”. “Në Plazh është bërë masakër urbane, por zona do të rehabilitohet,” - shtoi ai. Ndonëse kaosi urban në Plazh nuk mund të kthehet mbrapsht, Xhaferaj premtoi se Plazhi do të bëhet më mikpritës për turistët. Ai tha se “çdo hapësirë e lirë do të përdoret për gjelbërim dhe për të ndërtuar kënde lojrash për fëmijë”. Sa i përket brezit të rërës, Xhaferaj shtoi se “do të fuqizohet Ndërmarja Komunale e Plazhit për të garantuar pastrimin e bregdetit.” Njëkohësisht, Xhaferaj shtoi se brezi i rërës do të ketë dushe dhe banjo publike. Ndërkohë do të ndërtohet një kinema verore, për të rikthyer traditën e bukur të Plazhit të para viteve ’90-të. Për të eliminuar rrezikun që u vjen turistëve dhe banorëve të zonës nga trafiku i automjeteve në rrugën kryesore përgjatë bregdetit, Xhaferaj tha se do të ndërtohen disa mbikalime.
Në këtë mënyrë, ndonëse në Plazh nuk ka më mundësi për të ndërtuar objekte që turistëve do t’i ofronin shërbime të një niveli më të lartë, platforma e kandidatit Xhaferaj përcakton qartë strategjinë për të ndërhyrë në Plazh në të gjitha drejtimet e infrastrukturës ndihmëse me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit që ofrohet. Kandidati demokrat tha se “edhe problemi i rrjetit të kanalizimeve do të zgjidhet përmes zbatimit të një projekti me vlerë 10 milionë dollarë nga Banka Botërore, projekt ky që parashikon rehabilitimin e plotë të rrjetit në të gjithë zonën e Plazhit.”

Privatizimi i 462 objekteve
Disa prej banorëve ishin të interesuar të dinin diçka më tepër rreth proçedurave që do të ndiqen për privatizimin e ish-kabinave në Plazh. Në fillim të viteve ’90-të, një numër familjesh të pastreha, kryesisht ish-të përndjekur politikë, por jo vetëm, u sistemuan në ish-kabinat e Plazhit dhë në disa objekte të tjera në Shkozet. Që prej asaj kohe ata banojnë me qera dhe nuk janë në gjendje të planifikojnë të ardhmen e tyre.
Ndonëse ligja e kërkon një gjë të tillë, Bashkia e Durrësit nuk mori asnjë veprim në drejtim të privatizimit të tyre. Ky problem u zgjidh para tre muajsh me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave. Kandidati demokrat Xhefarej iu drejtua të interesuarve se “brenda pak ditësh, punonjësit e Entit Kombëtar të Banesave do të vijnë për t’iu dhënë kontratat e privatizimit”. “Para pak ditësh, - tha Xhaferaj, - unë isha në Shkozet, ku Enti Kombëtar i Banesave nisi shpërndarjen e formularëve dhe kontratave. Patjetër që, brenda pak ditësh, ata do të vijnë edhe këtu.”
Xhaferaj sqaroi se “kjo ishte një iniciativë e deputetit Eduard Halimi, i cili përpunoi dhe hartoi të gjithë ndërhyrjen e nevojshme ligjore, e cila u miratua nga kryeministri Berisha”. “Vendimi i qeverisë tashmë ka dalë, - tha kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, - dhe parashikon privatizimin e 462 objekteve. Brenda pak ditësh ju do të merrni të gjithë dokumentacionin që ju nevojitet”.
Ferdinand Xhaferaj u kërkoi banorëve të Plazhit që ta votë besonin atë për ta drejtuar më mirë Durrësin, për ta zhvilluar atë, dhe për ta bërë një qytet më të mirë për të gjithë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›