Berisha: “Rruga e vetme e Edi Ramës, Rruga drejt Enverit e Ramizit”
Kryeministri Sali Berisha çel fushatën elektorale në Cërrik, duke prezantuar kandidatin e fitores, Servet Duzha
Kryeministri Sali Berisha u ka premtuar dje pasdite banorëve të qytetit të Cërrikut se në katër vitet që do të vijnë në qytetin e Cërrikut qeveria do të investojë gjashtë herë më shumë se katër vitet e kaluara.
Këtë premtim kryeministri e ka bërë gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar Bashkie i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për qytetarin” Servet Duzha.
Ndër të tjera kryeministri Berisha i garantoi qytetarët e Cërrikut se qeveria do të mbështesë çdo projekt që Servet Duzha do të realizojë, si edhe do ta mbështesë për thithjen e investitorëve të huaj në qytetin e Cërrikut.
Qytetari juaj i parë, kryetari i bashkisë është qeveritari juaj më i rëndësishëm është qeveritari juaj, i cili me qëndrimet e tij mund të shndërrojë bashkinë, Cërrikun në një gjenerator të madh të punësimit tuaj, janë taksat me të cilët kryetari i bashkisë mund të ndihmojë më shumë se kushdo tjetër, lulëzimin, zgjerimin, krijimin e bizneseve të reja. Është kryetari i bashkisë dhe bashkia administratorët e vërtete te territorit që mund të tërheqin jo dhjetëra, por qindra milion dollarë investime, në qytetet dhe komunat e vendit. Unë ju garantoj se do të mbështes fuqishëm zotin Servet Duzha, që me praktika transparente, të thjeshta mund të bëjë disponibël çdo pëllëmbë tokë, të këtij qyteti,dhe përreth tij, për të gjitha investimet, qofshin ato industriale, qofshin ato bujqësore dhe çdolloj tjetër. Është qeveritari juaj i parë, qytetari juaj i parë, që së bashku me ju mund ti japë një zhvillim të madh artit dhe kulturës në qytetin tuaj. Unë jua garantoj se qeveria do ta mbështesë tërësisht. Është qytetari juaj i parë, kryetari juaj i bashkisë, ai i cili do të vendosë transparence absolute në çdo qindarkë të taksave tuaja, në çdo vendim që do të marrë, në çdo leje ndërtimi që do të japë. Është kryetari juaj i bashkisë që do të bëjë planin e zhvillimit të qytetit dhe që me përparësi do tja miratojë Këshilli Kombëtar i Zhvillimit të territorit, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Sali Berisha e vuri theksin te projektet që do të realizohen gjatë katër viteve që vijnë në qytetin e Cërrikut.
Sipas tij, “në katër vitet që do të vijnë së bashku me Servet Duzhën do të shndërrojmë Cërrikun në një qytet modern të zhvilluar, në një qendër të rëndësishëm të zhvillimit. Do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, kanalizime, ujësjellës, qendër shëndetësore, do të investojmë për artin dhe kulturën, tha kryeministri, duke shtuar se, kryetari i Bashkisë është edhe qeveritari juaj, i cili me qëndrimet e tij mund të shndërrojë Cërrikun në një gjenerator të madh”.
“Duke u ndalur te infrastruktura, kryeministri Berisha tha se fund të këtij muaji nisin punimet e autostradës Tiranë-Elbasan, e tunelit të Kërrabës, me të cilën Elbasani dhe Cërriku afrohen ndjeshëm me kryeqytetin.
“Autostrada, u shpreh kryeministri, shkurton mbi dy herë kohën tuaj për në kryeqytet, prodhimet tuaja për në tregun madh, valorizon mbi dy herë, vlerat, tokën dhe pasuritë tuaja”.
Kryeministri renditi si një projekt tjetër, shumë të rëndësishëm, projektin për ndërtimin e kaskadës së Devollit, të cilën ai e cilësoi si projektin më të madh në Evropë, ku do të punësohen me qindra burra dhe gra të qytetit të Cërrikut.
Gjithashtu, kryeministri garantoi se në 4 vitet që vijnë në këtë qytet qeveria shqiptare do të investojë 6 herë më shumë se 4 vitet që shkuan dhe se do të mbështesë zotin Servet Duzha në të gjithë përpjekjet e tij, për tërheqjen e investimeve të huaja, për krijimin vendeve të reja të punës, për modernizimin e qytetit dhe zhvillimin e tij, si një qytet modern dhe i përparuar.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka premtuar banorët se kryetari i ardhshëm i bashkisë do të ndihmojë për taksat, të cilat do të shërbejnë për mjedise te gjelbëruara, krijimin e bizneseve të reja në Cërrik etj.
Bashkia, tha Kryeministri, mund të tërheqë jo dhjetëra por 100-milionë dollarë, ndërsa garantoi qytetarët e Cërrikut që do të mbështesë kryetarin e ardhshëm që me praktika transparente mund të bëj disponibël çdo pëllëmbë tokë qofshin industriale apo bujqësore.
Duke u ndalur te arritjet e qeverise shqiptare këto pesë vite, kryeministri edhe një herë deklaroi anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, si edhe rritjen ekonomike të vendit.
“Çdo qytetar ndihet krenar, se së bashku ne, me mundin, djersën, përkushtimin tonë ia dolëm që Shqipërinë, vendin më të izoluar ta shndërrojmë në vendin anëtar të NATO-s, në vendin me sigurinë dhe besimin më të lartë, së bashku ne ia dolëm që shqiptarët, njerëzit më të izoluar të kontinentit 20 vite më parë, të lëvizin sot, të lirë në mbarë Evropën. Ne njerëzit që u përballëm me vështirësi, me sakrifica, me djersë dhe mundim ia dolëm që ekonominë shqiptare tërësisht të falimentuar ta shndërrojmë në një nga ekonomitë entuziaste, më solide në Evropë. Ekonomia e këtij vendi ka 3 vjet rresht që qëndron në krye të rritjes ekonomike të Evropës dhe më gjerë”, tha kryeministri.
Më tej ai ka folur edhe për projektin e madh në kaskadën e Devollit ku sipas kryeministrit, do të punësohen me qindra gra dhe burra nga Cërriku.
Nga Cërriku kryeministri i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në shtëpinë e shqiptarëve, sepse sipas tij, “kjo është shtëpia e vlerave, moralit, vizionit, interesit, besimit të shqiptarëve. 8 maji është prova jonë e madhe e qëndrimit tonë ndaj lirisë”, tha ai.
Duke u ndalur në alternativën e opozitës, Berisha e cilësoi atë si “alternativa, e cila shpallte kriminale rritjen e rrogave dhe të pensioneve tuaja, alternativë e cila deklaronte se ekonomia shqiptare ishte në krizë dhe në falimentim, ndërkohë që ajo kryesonte rritjen ekonomike ne botë, alternativë, e cila bën gjithçka që të ndryjë në kuti vizat tuaja, lëvizjen tuaj të lirë, alternativë e cila bën gjithçka që të bllokojë procesin e integrimit tuaj në BE. Alternativa e rrugës së vetme është alternativa e të shkuarës, alternativë që nuk ka të ardhme. Kjo është rrugë pa kthim. Ftoj qytetarët e të gjitha bindjeve që t’ia lëmë shokut Edi Rama këtë rrugë, se duke ecur do të gjejë Ramizin, pak më tutje do të takojë Enverin, kurse ne jemi të betuar të mos pranojmë kurrë të shkuarën, për të ardhmen tonë. Ne jemi të betuar që të bashkohemi si qytetarë, me vlerat tona, me besimin tonë, me interesat tona, me vizionin tonë për Cërrikun modern, për Shqipërinë moderne, për Cërrikun qytet të zhvilluar, për Shqipërinë vend të zhvilluar”.
Kryeministri i ka bërë thirrje shqiptarëve të shkojnë si njerëz të qytetëruar dhe të kenë respekt për votën e lirë. Ndërsa ka kërkuar që të shmangin çdo lloj dhune, pasi sipas tij, flamujt e partive politike, janë flamujt e pluralizmit shqiptar dhe ne, tha kryeministri, jemi pluralizmi. Ndërsa një thirrje ai e ka bërë për partitë politike që të heqin dorë nga fjalët e kazanit, të shmangin çdo lloj nxitje, të bëjnë gjithçka që kjo fushatë të jetë një fushatë europiane që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë.
Berisha prezanton kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Manzës, Bujar Huqi
“Më 8 maj, së bashku drejt alternativës së qytetarit, Edi Ramën e pret shtëpia e së shkuarës së tij”
Kryeministri Berisha prezantoi dje kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të Bashkisë së Manzës, Bujar Huqi, i cili rikandidon për këtë post. Kryeministri Sali Berisha siguroi dje banorët e Manzës, në rrethin e Durrësit, se “Aleanca për qytetarin” paraqitet në zgjedhjet vendore të 8 majit me alternativën që ndërton të ardhmen e vendit.
Gjatë takimit me banorët, Berisha siguroi se në këtë bashki qeveria do të investojë së paku 4 herë më shumë se në katër vitet që shkuan.
“Katër vitet që shkuan ne kemi investuar në 19 projekte, me një vlerë prej mbi 420 milionë lekë”, tha Kryeministri.
“Në katër vitet që vijnë qeveria do të mbështesë çdo projekt, do të ndërtojë e rindërtojë çdo rrugë e rrugicë të kësaj qyteze dhe fshatrave të kësaj bashkie, do ndërtohet e rindërtohet çdo shkollë e këtij territori, do të garantohet ujë 24 orë për të gjitha fshatrat dhe bashkinë e Manzës, do të financohet projekti i fushës së sportit, etj”, tha Berisha.
Ai siguroi se “në katër vitet që vijnë, kjo bashki, Durrësi e mbarë Shqipëria do të kalojnë në fazën përfundimtare të një qyteti e të një vendi të zhvilluar”.
“Rruga jonë është rruga e përpjekjeve të mëdha, rruga e mundit dhe e djersës, rruga e sakrificave dhe përkushtimit. Por sot, për çdo shqiptar që i thotë Shqipërisë Shqipëri, për çdo shqiptar që ka besim të vendi i tij, është e qartë si drita e diellit se ne jemi njerëzit e suksesit, se ne bashkërisht, me mund, djersë e sakrificë, ia kemi dalë këto vitet e fundit të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura kombëtare: Shqipëria, anëtare e NATO-s. Këto vite, me mund, djersë e sakrificë, ne i kemi dalë që si njerëz të suksesit të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura të rilindësve tanë, të të gjithë gjeneratave, të të gjithë shqiptarëve, lëvizjen e lirë në Evropë”, u shpreh Berisha më tej.
Duke u ndalur te arritjet e kësaj mazhorance, Berisha solli në vëmendje anëtarësimin e vendit në NATO, lëvizjen e lirë në hapësirën “Shengen” si dhe ndërtimin e rrugës së kombit Durrës-Kukës-Morinë.
“Ne jemi njerëz të suksesit sepse në një hark kohor të shkurtër, prej 5 vitesh, kemi ndërtuar e rindërtuar në këtë vend 8 mijë kilometra rrugë. Kemi dyfishuar rrogat dhe pensionet dhe e kemi shndërruar Shqipërinë në destinacionin kryesor turistik të botës”, tha Berisha.
”Ne jemi njerëzit e suksesit, ju jeni njerëzit e suksesit, sepse ne së bashku këto vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, pensionet në fshat e në mbarë Shqipërinë. Ne jemi njerëzit e suksesit, sepse në këto vite ne ia dolëm të jemi i vetmi vend të Evropë të dyfishojmë rrogat. Ne jemi njerëzit e suksesit sepse Manzën, Durrësin, Shqipërinë tërësisht të harruar në hartën e turizmit botërorë, e shndërruam këtë vit në të bukurën e dheut, në destinacionin kryesor turistik të botës. Pra, është e qartë si drita e diellit se alternativa jonë është alternativa e suksesit,alternativa e integrimit, alternativa me të cilën secili qytetar shqiptar, me mundin, djersën, përkushtimin, mendjen e tij, ndërton të sotmen dhe të ardhmen”, shtoi kryeministri.
Por sipas tij, “përballë kësaj alternative, qëndron alternativa e rrugës së vetmisë”. “Këtu nga Manza, do t’i them kryetarit të Partisë Socialiste: shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde. Ne së bashku do ecim në alternativën e qytetarit, në koalicionin e qytetarit, në besimin ndaj qytetarit, në besimin ndaj jush. Ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komuniteti juaj është i pari, Manza është e para, Durrësi është i pari, Shqipëria është e para”, tha në përfundim Berisha.