E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sala n’MUAC

Nga data 25 shkurt e deri më 27 mars 2012, Museo Universitario de Arte Contamporaneo (MUAC), në Mexico City, do të jetë nikoqir i ekspozitës “Moving Forwards, Counting Backwards”. Në mesin e artistëve evropiano-lindorë që janë pjesë e saj është edhe artisti shqiptar, Anri Sala.

Edhe pse kaluan shumë vite nga rënia e ‘Perdes së Hekurt’, Evropa vazhdon të përballet me krizën më të thellë sociale, politike dhe ekonomike deri më tani. E ashtuquajtura Evropë Lindore vazhdon ta kujtojë të kaluarën e saj, por edhe ardhmërinë e braktisur komuniste. Kjo ardhmëri u zëvendësua me premtimin për një liri dhe demokraci panevropiane, ndërsa ‘utopia e dikurshme’ me ekranin e zbrazët të një tranzicioni të pafundmë dhe me atmosferën e një politike të vonuar e të papjekur.

Diskurset e artit evropiano-lindor shpesh konstituohen rreth formulës “arti përkundër totalitarizmit dhe represionit”, e cila heshtazi implikon postulatin ideologjik se arti evropiano-perëndimor ishte shprehje e individëve të lirë. Ideja për artin si një praktikë shoqërore transformuese rrënjët i ka në avangardat historike të fillimit të shekullit 20. Por, pavarësisht dallimeve të shumta mes shteteve të ish-lindjes socialiste, ato kanë të përbashkët bindjen njëshekullore se arti dhe imagjinata politiko-emancipuese janë të pandara. Pikërisht kjo ndërlidhje dhe është subjekti që ekspozita “Moving Forwards, Counting Backwards” (Lëvizja Përpara, Numërimi Prapa) synon të hulumtojë.

Ekspozita bashkon artistë të gjeneratave të ndryshme, veprat e të cilëve u ndikuan nga ndryshimet radikale në politikë dhe art, gjatë shekullit të 20’të.

Meqë kryesisht kanë prejardhje nga shtetet socialiste, ata mund të ofrojnë përgjigje në pyetjen nëse historia ishte ajo që vërtet na dëshpëroi. Praktikat e tyre hulumtojnë potencialin për krijimin e një imagjinate të re politike, të bazuar në idetë e hershme universale të internacionalizmit, barazisë, solidaritetit dhe lirisë.

Bëhet këtu fjalë për vepra që hulumtojnë përkohësinë jostabile të ngjarjeve emancipuese të së kaluarës, dhe aktivizimin e sërishëm të atyre pjesëve të së kaluarës që sot janë harruar ose janë shtypur diku brenda diskurseve dominuese. Ekspozita paraqet lidhjen mes ideologjive, formave, përkthimit dhe kohës dhe narracionit për kujtesën dhe harresën kolektive, por edhe aftësinë tonë që të imagjinojmë një të ardhme të përbashkët dhe mundësinë e realizimit të saj.

Artistët dhe kolektivet artistike veprat e të cilave do të paraqiten në ekspozitë janë Anri Sala, Vojin Bakic, Chto Delat? & Vladan Jeremic, Collective Actions, Gorgona, Igor Grubic, Tibor Hajas, Irwin, Sanja Ivekovic, Julius Koller, Andreja Kuluncic, David Maljkovic, Kazimir Maljevic, Ahmet Ogut, Dan Perjovschi, Mladen Stilinovic, Nicoline van Harskamp, Zelimir Zilnik dhe Artur Zmijewski.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›