Sala zbret n’Stacion

Performanca ‘3-2-1’ do të ekzekutohet nga muzicienti i jazzit të lirë, Pierre Borel, me improvizim të lirë në saksofon të muzicientit Jemeel Moondoc.
“Trishtimi i Gjatë’ (2005) është filmuar në njërën nga ndërtesat e parafabrikuara në Berlin, dhe është një xhirim i mistershëm i performancës së orkestruar nga Sala. Jazz muzicienti i njohur, Jemeel Moondoc, përveçqë improvizon në saksofon, ai qëndron i varur jashtë dritares së një apartamenti të boshatisur në katin e tetëmbëdhjetë të ndërtesës.
Përmes pamjeve të detajuara të kamerës - e cila përqendrohen në sytë dhe muskujt e fytyrës së saksofonistit - përcillen ndjesitë e furishme që adrenalina përçon në trupin e tij.
Kjo adrenalinë pastaj dikton interpretimin muzikor të Moondoc, sepse përmes trupit të tij tingulli muzikor shndërrohet në përcjellës të përjetimit të hapësirës arkitektonike dhe të dimensioneve të saj. Varja në hapësirë e muzicientit dhe pamundësimi i shprehjes së ndjenjave të vrullshme që e kaplojnë - përmes fjalëve ose tingujve zanorë - krijon një raport fenomenologjik mes trupit dhe hapësirës, ku roli analitik i intelektit njerëzor reduktohet në maksimum dhe ku truri shndërrohet në një mekanizëm që i përgjigjet stimujve të hapësirës, të përthithur nga çdo qelizë dhe gjymtyrë e trupit të muzicientit.
Për ekspozitën në Stacion, Sala rikrijon aspektin performativ të punës përmes performancës 3-2-1, në të cilën saksofonisti francez Pierre Borel i përgjigjet me muzikë të gjallë muzikës dhe performancës së Moondoc në videon “Trishtimi i Gjatë”.
3-2-1 fillon me Borel që shoqëron me muzikë audio-incizimin e një improvizimi që Moondoc e luan në videon e Salës. Në këtë mënyrë, në hapësirë krijohet një “trio” improvizimesh. Nga improvizimi i Borel, që fillon në hapësirën e oborrit të Stacion dhe luhet mbi incizimin e improvizimit të dyfishtë të Moondoc.
Pastaj, nga loja muzikore që shndërrohet në “duet”, kur Borel futet në hapësirën e brendshme të Stacion dhe improvizon e luan - përgjigjen ndaj muzikës së Moondoc në filmin e projektuar. Dhe në fund, performanca përmbyllet me një solo të Borel, i cili vazhdon temën e tij të improvizimit edhe pas mbarimit të filmit.
Ndryshe, performanca ‘3-2-1’ është realizuar për herë të parë më 2011, gjatë ekspozitës personale të Anri Salës në Serpentine Gallery, në Londër.