E Diel, 1 Nëntor 2026

Salamina, fëmijët e shkollës shqipe festojnë 1 qershorin

Fëmijët e kursit të gjuhës shqipe, në ishullin Salamina në Greqi, kanë festuar 1 Qershorin, festën e fëmijëve, në një aktivitet plot aromë shqiptare. 

Me iniciativën e shoqatës së shqiptarëve të Salaminës, kurset e gjuhës shqipe ndiqen falas nga rreth 150 nxënës, nga shtatori i vitit 2012. Ky ishte aktiviteti i parë për këta fëmijë, të cilët kanë lexuar, recituar dhe kënduar lirshëm tashmë, në gjuhën e bukur shqipe.

Surpriza që ka ngjallur shumë entuziazëm në sallë ishin librat jashtëshkollorë ardhur nga Shqipëria për ata, me kontributin e kryetares së forumit të gruas së LSI, dega Athinë, Eva Tutulani. “Kjo është dhurata më e bukur që kam marrë, po nuk e lexoj dot vetë akoma” thotë Albiona e vogël dhe sytë i shkëlqejnë nga gëzimi. 

Eva Tutulani, në përshëndetjen e saj veç të tjerave tha “Ju i njihni heronjtë e përrallave në gjuhën greke, tani duhet t’i mësoni edhe në gjuhën amë. Kështu edhe do të argëtoheni, por edhe do të zgjeroni njohuritë tuaja më shumë. Për mësuesit vullnetarë të shkollës shqipe, misionarët fisnikë të atdhetarizmit unë kam një mesazh shumë optimist dhe domethënës nga vetë kryetari ynë, z. Ilir Meta. Do të jetë prioritet në qeverinë e ardhshme shpërblimi i punës suaj vullnetare, kaq të madhe e të rëndësishme”. 

Kryetari dhe përgjegjësi i shkollës, Petrit Hoxha, ka falënderuar veçanërisht kryetaren Eva Tutulani, duke theksuar se “në kaq vite përpjekje, është hera e parë që një përfaqësues i një partie politike shqiptare ofron libra dhe koktej tek fëmijët dhe mësuesit vullnetarë”. 

Në ishullin e Salaminës jetojnë prej vitesh rreth 2000 emigrantë shqiptarë, mjaft mirë të integruar në shoqërinë vendase, të cilët përfaqësohen nga Shoqata Shqiptare e Salaminës.
“Plus Gazeta Athina”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›