Sali Berisha: “Foltorja” tronditi Shqipërinë!

Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, e quajti “Foltoren” lëvizjen e dytë më të rëndësishme historike pas asaj të vitit 1991. Ai do të dorëzojë sot 4200 firmat që ka mbledhur për të kërkuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Berisha shtoi se “prej më shumë se 1 muaji, mori jetë lëvizja që tronditi Shqipërinë dhe u kthye në burim shprese për shqiptarët”.
“Prej më shumë se 1 muaji, mori jetë në një moment kritik të historisë, lëvizja e një grupi deputetësh, drejtues qëndrorë e lokalë të PD, anëtarë të kësaj partie, me qëllimin më madhor, ringritjen e Partisë Demokratike, shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmontimin e narkoshtetit, rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe integrimit, rivendosjen e shtetit ligjor. Ky proces ka një kusht, para së gjithash e mbi të gjitha, shndërrimin e PD në një forcë të vlerave konservatore në Shqipëri. Ju jeni dëshmitarë se si kreu i Meduzës, Edi Rama, me të gjithë grupin e tij të krimit e drogës, arriti të shkatërrojë vendin. Një rol të madh ka luajë dhe George Soros me mafien e tij. Ai bëri gjithçka që në këto 8 vite në Shqipëri të kthehet monizmi. Ju e dini se sot, Edi Rama kontrollon 10% pushtet më shumë se sa Ramiz Alia në 1991. Kjo lëvizje që tronditi Shqipërinë dhe u kthye në dritë në fund të tunelit, është pas vitit 1991, lëvizja e dytë më e rëndësishme historike. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve të narko-qeverisë dhe aleatëve ta pengojnë me çdo kush këtë lëvizje, por dështuan. Foltorja kaloi nga suksesi në sukses, si dritë shprese nga shpirti në shpirt. Kush e mendonte 2 muaj më parë këtë, as unë nuk e mendoja. Te Foltorja shihet burimi i shpresës,” tha Berisha.