E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Protopapa përkrah Aleancën Popullore: Çamëria do fitohet siç u fitua Kosova

sejfiSejfi Protopapa njihet nga shumë shqiptarë si Sali Protopapa i filmit I teti në bronz.

Në fakt, ai është bash e kundërta e atij personazhi filmi. Në një intervistë me Roland Qafokun në Ora News, Protopapa ka shpjeguar se vërtet ka qenë një komandant çete i Ballit Kombëtar, si dhe zv/kryeredaktor i gazetës balliste Flamuri, por personalisht ka arrestuar në emër të Ballit Kombëtar një komandat çete balliste (Dane Cukalatin) që bënte pikërisht ato gjëra që i janë veshur atij vetë në filmin e sipërpërmendur. (Cukalati u pushkatua nga njerëzit e Protopapës pas gjyqit që ai i bëri).

Pas arratisjes nga Shqipëria, Sejfi Protopapa mbrojti doktoraturën për fizikë bërthamore në SHBA dhe punoi në laboratorin Los Alamos për shpikjen e bombës me hidrogjen, e më pas në NASA për komunikimet satelitore me rreze lazër. Gjatë jetës në emigracion, ka qenë një aktivist i palodhur për pavarësinë e Kosovës, pavarësinë e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe për çështjen çame.

Në një prononcim të shkurtër elektronik për DITA-n, dr.Protopapa, shprehu përkrahjen e tij për Lëvizjen Çame, të përfaqësuar politikisht nga Aleanca Popullore.

Pavarësisht se me profesor Pëllumb Xhufin kam divergjenca ideologjike, e vlerësoj dhe e kam mbështetur punën e tij të palodhur studimore në lidhje me Çamërinë e Epirin në përgjithësi. Dhe më gëzoi shumë fakti që ai përkrah publikisht Lëvizjen Çame. Gjithashtu e vlerësoj faktin që në krye të Aleancës Popullore është një pinjoll i familjes patriote çame Dojaka, pasardhës i të ndjerit profesor Abaz Dojaka. Kosovën, ne ballistët deshëm ta merrnim duke luajtur fort kartën etnike, por Kosova u fitua duke luajtur kartën e të drejtave të njeriut. E përgëzoj Aleancën Popullore që edhe Çështjen Çame po e adreson pikërisht si një çështje të të drejtave të njeriut, shkruan dr. Protopapa në prononcimin e tij elektronik për DITA-n.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›