E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: E meritonte eurogolin Shkodra jeme!

Ka qenë njeriu i natës së mbrëmshme. Ka shënuar golin e tretë, atë të fitores, dhe mbi të gjitha me një kryevepër: roveshiatë brenda zonës mike dhe direkt e në trekëndësh, aq sa ka hutuar edhe portierin mik, që nuk e pa se nga iku sfera.

Për Hamdi Salihin ka vend për elozhe. Edhe për kënaqësi në aspektin personal.

Pas ndeshjes, mes kënaqësisë dhe emocionit për golin dhe fitoren, Hamdi Salihi pohoi: Ka qenë gjithçka perfekte. E kisha ëndërruar këtë mbrëmje. Ska ku shkon më bukur si për ekipin ashtu edhe në aspektin individual.

Ka qenë një gol me shumë vlera dhe më vjen mirë që e shënova në qytetin tim, në Shkodrën time, që më ka mbështetur gjithmonë. Meqë ishte edhe goli i fitores, ai merr vlera edhe më të mëdha, – ka thënë autori i golit të tretë, që i dha fitoren Shqipërisë mbrëmë.

Emocione natyrisht për një sulmues që është rritur në atë stadium, për një bomber që ka shënuar shumë gola për skuadrën e qytetit të tij, por me kombëtaren është goli i parë që shënon në Loro Boriçi.

Aq më tepër me një roveshiatë të tillë, një gol kryevepër, që ka entuziazmuar të gjithë. Në fund, shumë duartrokitje dhe një stadium i tërë që thërret në kor emrin e tij. Salihi është mësuar të shënojë në stadiume të ndryshme të botës, por mbrëmë ka ndier emocione.

Janë njerëzit e mi, janë familja ime, i dua shumë dhe më duan shumë. Nuk ka se si të ndihem asnjëherë keq mes tyre,- ka thënë ai shumë i emocionuar. Por a do të dëshironte Salihi të shënonte një gol me vlera të tilla edhe ndaj Francës në fillim të shtatorit?

Dëshira është e madhe dhe ai e pranon këtë kur thotë: Pse jo, do të tentoj të shënoj edhe ndaj Francës. Do bëjmë maksimumin në atë ndeshje për të fituar dhe për t’i dhuruar Shqipërisë një tjetër fitore të rëndësishme,”- e mbylli bomberi shkodran, Hamdi Salihi, i cili lëshon një mesazh kërcënues edhe për Francën.

 

Bogdani: Fitore të tilla janë të rëndësishme

Erjon Bogdani ka shënuar me kokë dhe ka vrapuar ta ndajë këtë gol me mikun e tij të ngushtë, portierin Beqaj, në pankinë. Pas ndeshjes, duke e kombetuar atë, ka thënë:

Pavarësisht se miqësore, fitore të tilla vlejnë. Luajtëm ndaj një kundërshtari që ëshët më lart se ne në renditjesn e FIFA-s dhe të fitosh ndaj tij nuk është pak, aq më teëpr që e kemi mundur edhe në Podgoricë.

Jam i kënaqur që shënova, ndërkohë që duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen me Francën, që është shumë e rëndësishme.

Cana: Edhe me Francën do të luajmë kështu

Lideri i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, edhe mbrëmë i ka bërë për vete të gjithë me lojën e tij plot grintë e sakrificë, ashtu, i kudondodhur në çdo cep të fushës. Sidomos në pjesën e parë e ka bërë gjithçka mirë, duke marrë përsipër organizimin e skuadrës, si për të treguar se mbetet një lider te kuqezinjtë, aq sa ka marrë jo pak brohoritje sa herë që fitonte dyluftimet me yllin malazez Jovetiç.

Duke folur në lidhje me fitoren ndaj Malit të Zi, kosovari që luan me Lacion ka thënë: Mendoj se paraqitja jonë në total ka qenë e mirë. Në ndonjë moment edhe kemi gabuar sidomos në goditjet standarte, por besoj se mund të përmirësohemi. Përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë, me Francën dhe kuptohet që përgjegjësia do jetë shumë më e madhe se në këtë miqësore për të gjithë ne.

Franca e qarkullon më shumë topin dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mesfushë, por duhet patjetër edhe të sulmojë dhe të kërkojmë të godasim portën e tyre. Në fushën tonë kemi treguar se jemi gjithnjë të rrezikshëm dhe e kemi bërë gjithnjë mirë. Jemi të frikshëm dhe besoj se kështu do ndodhë edhe ndaj Francës, do të futemi në fushë për të marrë maksimumin, – pohoi fillimisht Lorik Cana.

Por ai nuk la pa bërë elozhe edhe për lojën e të rinjve, që u aktivizuan në pjesën e dytë. Futja e tyre në fushë, natyrisht që e ndryshoi shumë lojën, pasi i dha freski mesit të fushës, por edhe sulmit të ekipit tonë përfaqësues.

Sa i takon aktivizimit të elementit të ri në pjesën e dytë, Cana ka shtuar: Besoj se të rinjtë që u aktivizuan në fraksionin e dytë të ndeshjes, kanë dhënë atë çka pritej. I dhanë më tepër freski lojës dhe treguan se janë të gjithë të vlefshëm për kombëtaren tonë,- e mbylli prononcimin kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana.

Klodian Duro: Ska kombëtare pa pleqtë

Klodian Duro ka hyrë atëherë kur duhej dhe sëbashku me Bakajn, Hykën e Currin kanë kontrolluar mesfushën tonë. I pyetur në lidhje me këtë takim, Duro ka thënë: Mendoj se kombëtarja jonë ka bërë një ndeshje të mirë sonte. Kemi kontrolluar përgjithësisht lojën dhe arritëm një fitore të bukur. Me këtë fitore treguam edhe njëherë se kombëtarja jonë është në rrugën e duhur, teksa kemi një kombinim perfekt mes pleqve dhe të rinjve.

Pa një kordinim të mirë të tyre nuk mund të kemi sukses. Kurrë nuk mund të thuash se ka ardhur koha për të hapur rrugë dikush që e ka një moshë. Përderisa po kontribuojmë sërish, nuk ka pse të tërhiqemi edhe njëherë ne pleqtë. Tërheqja jonë do të vijë vetvetiu, por e rëndësishme është që Shqipëria të vijë duke i rritur rezultatet e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›