Trajneri Kuzhe: Kjo fitore vlen shumë, test i rëndësishëm për Francën
Aktivizimi i lojtarëve në pjesën e dytë ishte efikas, sepse ata dhuruan veprime të bukura në fushën e lojës
Nga Gjergj KOLA
E ka parë veten në vështirësi, teksa skuadra jonë kombëtare nuk funksiononte si duhet në pjesën e parë. Megjithatë, nuk e ka humbur durimin, por në fraksionin e dytë ka bërë lëvizje të guximshme dhe mjaft efikase, jo vetëm duke bërë zëvendësime në emra lojtarësh, por edhe duke i përzier letrat, me ndërrime rolesh në fushë.
Dhe ia ka arritur qëllimit, të përmbysë disavantazhin momental 2-1 për malazezët, por edhe të marrë indikacione të shumta për eliminatoren e radhës me Francën, më 2 shtator në tiranë. Sepse disa lojtarë të rinuj, që më shumë kanë qenë pjesë e stolit të rezervave, si Bakaj, Hyka, Teli e ndonjë tjetër, kanë ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
Natyrisht, për mirë, çka tregon se tashmë është koha e tyre, jo e veteranëve, apo e të tjerëve, pa ekip fare. Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, Kuzhe është shprehur i kënaqur për mënyrën si reagoi skuadra jonë kombëtare. Ai ka qenë i gëzuar, natyrisht, për fitoren, megjithëse në një takim miqësor kjo nuk vlen në plan të parë. Sidoqoftë, ajo çka prodhoi miqësorja e mbrëmshme në Loro Boriçi është një tregues i mirë edhe për të ardhmen.
Ka qenë një ndeshje me dy tabllo, që ka patur shumë oshilacione brenda vetes. Në fillim kemi luajtur mirë, kemi kaluar në avantazh, por më pas sikur u hutuam, lëshuam terren dhe e humbëm ritmin. Për pasojë, ishte kundërshtari, që e zhvendosi lojën në gjysmëfushën tonë, ushtroi presion deri në thellësi, për pasojë shënoi edhe dy gola. Edhe pas pësimit të golit të dytë nuk luajtëm shumë mirë, megjithatë skuadra pak nga pak reagoi dhe arriti të përmbysë gjithçka.
Ka qenë një miqësore pozitive, e cila na ka vlejtur, sepse duhet të bëhemi gati për ndeshjen me Francën, që është shumë më e rëndësishme se kjo. Aktivizimi i lojtarëve në pjesën e dytë ishte efikas, sepse ata dhuruan veprime të bukura në fushën e lojës dhe janë një garanci për të ardhmen e kombëtares-ka thënë kroati i pankinës kuqezi.
Franca – Në ndeshjen e mbrëmshme ai ka qëndruar thuajse në këmbë, gjatë gjithë kohës, dhe kërkonte medoemos fitoren. Ka aktivizuar një 11-she që mendohet të jetë titullare edhe ndaj Francës, me dy sulmues, ndërkohë që pyetjes nëse është i kënaqur me çka pa në fushën e lojës, nga të tijtë, Kuzhe ka pohuar:
Kanë shënuar të dy sulmuesit, si Bogdani, edhe Salihi, kjo më gëzon pa masë. Këto gola duhet tu shërbejnë këtyre dy lojtarëve titullarë të sulmit tonë për tu rritur nga ana psikologjike. Ata duhet të mendojnë se mund ta bëjnë këtë gjë edhe në të ardhmen, edhe ndaj Francës.
Kupohet, ndaj francezëve do të jetë tjetër histori, ndoshta nuk mund të shënojmë tre gola ndaj tyre, por e rëndësishme është të luajmë për ta fituar atë ndeshje.
Emocionet – Në momentin e shënimit të golit të Salihit, Kuzhe është hedhur përpjetë. A thua se skuadra e tij ka dalë kampione bote.
I pyetur për emocionet që ka ndier në ato momente, ai ka thënë: Më ka entuziasmuar shumë ai gol, sepse na dha fitoren dhe ishte shumë i bukur, megjithatë askush nuk mund të habitet me këto gola të Salihit, sepse të tillë ai ka shënuar përherë.
Ndonëse miqësore, Kuzhe ka marrë jo pak kritika, sa i takon mosthirrjes së disa futbollistëve të rinj për këtë ndeshje, por kroati e ka përsëritur përgjigjen edhe mbrëmë, pas fitores me Malin e Zi:
Kemi edhe katër ndeshje kualifikuese dhe nuk kam ndërmend të bëj eksperimente. Vajushit, Roshit etj., që janë të talentuar, do tu vijë koha për të treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë në të ardhmen.
Duka: Aktivizimi i Telit, veprim i zgjuar i Kuzhes
Sipas kreut të FSHF-së, Armand Duka, futja në lojë e Telit i dha të tjera impulse lojës, kurse eurogoli i Hamdi Salihit ka qenë i shkëlqyer
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është shfaqur i gëzuar në fundin e ndeshjes së mbrëmshme ndaj Malit të Zi. Fitorja me rezultatin 3-2 ndaj malazezëve ka bërë efektin e vet edhe tek numri 1 i futbollit shqiptar, megjithatë ai mendon më tutje, tek ndeshja me Francën.
Ka qenë një fitore e bukur, një ndeshje me emocione, kaluam ne të parët në avantazh, pastaj malazezët dhe në fund përmbysëm gjithçka. Duhet të mendojmë për Francën, aty duhet ta kemi mendjen tashmë, sepse do jetë një ndeshje krejt ndryshe, – ka thënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në prononcimin që ka dhënë për Sporti Shqiptar pas ndeshjes.
Por çfarë kishte të veçantë përballja e mbrëmshme, sipas tij? Presidenti i federatës ka filluar të kuptojë jo pak edhe nga ana taktike e futbollit dhe për rrjedhojë di të vlerësojë edhe veprimet e Kuzhes.
Madje, fitoren duket se ia dedikon pikërisht kroatit të pankinës kuqezi, i cili ka bërë një lëvizje të bukur taktike në momentin e duhur, duke futur në fushë Admir Telin. Shtyrja e Currit në mesfushë u ka dhënë energji kuqezinjve dhe repartit ofensiv, ku filluan edhe sulmet e njëpasnjëshme të sulmuesve tanë, nga ku erdhën edhe golat e fitores.
Kemi luajtur me shpirt dhe mbi të gjitha i kemi bërë gjërat mirë sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes. Zëvendësimet e trajnerit Josip Kuzhe dhanë efektin e vet dhe në veçanti më pëlqeu aktivizimi i numrit 17, Telit, në mbrojtje dhe kalimi i Currit përpara. Ka qenë një zgjidhje shumë e bukur dhe efikase. Aty filloi edhe ndryshimi për mirë i lojës së skuadrës sonë dhe më pas erdhi edhe rezultati, që besoj se i ka kënaqur të gjithë, pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore,- ka thënë Duka.
Por, pa dyshim nuk mund të lihej pa përmendur edhe eurogoli që ka shënuar shkodrani Hamdi Salihi, i cili u duartrokit gjatë nga të gjithë tifozët kuqezinj të pranishëm në Loro Boriçi, por që ka mahnitur të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur nëpërmjet ekranit të televizorit ekzekutimin që i ka bërë shkodrani.
Kur i kërkojmë një koment Dukës për golin e Salihit, ai jep një përgjigje të shkurtër, por sinjifikative: I shkëlqyer, nuk mund të përshkruhet ndryshe,- ka thënë në fund të prononcimit të tij, duke lënë stadiumin Loro Boriçi, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Kranjçar: Presioni i tifozëve vendas ndikoi në humbje
Trajneri i përfaqësueses së Malit të Zi, Zllatko Kranjçar, pas ndeshjes ka fajësuar presionin dhe incidentet e krijuara nga tifozët tanë për humbjen e skuadrës së tij. Këtë e ka thënë edhe për Sporti Shqiptar, pas ndeshjes, kur ka pohuar:
Kemi luajtur mirë, përgjithësisht. Ndonëse pësuam gol të parët, arritëm ta përmbysim rezultatin. Edhe pas golit të dytë patëm dy momente për ta trefishuar rezultatin, çka do ta mbyllte ndeshjen. Pas këtij momenti ndodhi incidenti me tifozët shqiptarë, gjë që solli njëfarë presioni psikologjik tek futbollistët tanë.
Pikërisht këto momente na sollën edhe humbjen, sepse më pas Shqipëria shënoi dy gola fatlumë, çka i dhanë fitoren asaj. I uroj suksese këtij ekipi dhe shpresoj të vazhdojë të ngjitet në të ardhmen në nivele edhe më të larta