Naftëtari humbet portierin Kora, kthehet Memaj
Drejtuesit kuçovarë e kanë gjetur menjëherë zevendësuesin e portierit Albano Kora, i cili është dëmtuar
Nga Arben Çepani
Portieri titullar i Naftëtarit, Albano Kora, ka pësuar një dëmtim, që mund ti kushtojë atij tre muaj larg fushave. Kora ka mbrojtur portën kuçovare sezonin e kaluar dhe, pavarësisht se Naftëtari nuk e arriti kategorinë e parë, ai bëri një paraqitje shumë të mirë.
Dëmtimi i Korës i ka shqetësuar jo pak drejtuesit e Naftëtarit, të cilët janë vënë menjëherë në lëvizje, duke kërkuar zëvendësin e tij për sezonin e ri. Për një kohë të shkurtër, si pasues i Korës është menduar 19-vjeçari Mario Memaj. Ky i fundit kthehet te Naftëtari pas një mungese njëvjeçare dhe ardhja e tij i ka qetësuar drejtuesit dhe tifozët kuçovarë.
Memaj është njëkohësisht edhe pjesëtar i ekipit kombëtar U-19. Shtatlarti i portës kuçovare ka qenë së fundi kontigjent i klubit dinamovit, ku është stërvitur nga bashkëqytetari i tij, Ilir Bozhiqi. Ndërkohë, ai ka tentuar të kalojë në një ekip të kategorive inferiore në Itali, por nuk ka mundur. Kësisoj, ai është rikthyer përsëri në Kuçovë për të kontribuar përsëri për ekipin e Naftëtarit.
”Natyrisht, – thekson Memaj, – ndihem i kënaqur që u riktheva te Naftëtari. Fillimisht i uroj shërim të shpejtë kolegut tim Albano Kora dhe të dy bashkë do të bëjmë të pamundërën që Naftëtari të rikthehet në kategorinë e parë. Këtë sezon organizimi mendoj se është më i mirë, ndaj jam i bindur se ngjitja e Naftëtarit në kategorinë e parë do të jetë e sigurt dhe pa probleme.”