E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi: ëndrra ime, të fitoj titullin në Austri

TIRANE-Hamdi Salihi është nga të vetmit futbollistë shqiptarë që synon fitimin e titullit kampion në kampionatet e huaj këtë sezon. Të dielën sulmuesi kuqezi do të ndeshet ndaj Salzburgut, një përballje direkte që mund të vendosë jo pak. "ëndrra dhe dëshira ime është që të shpallem kampion edhe këtu në Austri", thotë shkodrani. Në një intervistë ekskluzive për "GSH", Salihi flet edhe për kombëtaren, për konkurrencën në vijën e sulmit apo për sfidat në eliminatoret e Euro 2012. "Mendoj se rikthimi i futbollistëve si Lala apo Beqaj, por edhe Skela që është tani në skuadër, i jep më shumë moral ekipit kombëtar. Ata janë ikona dhe të gjithë marrin zemër prej tyre", shprehet shkodrani.
Një nisje jo e mirë e Rapidit të Vjenës në këtë fazë të dytë, një humbje dhe një barazim...
Mendoj se kjo ka ardhur ndoshta për shkak të fazës përgatitore shumë të fortë që kemi bërë, pasi muskujt mesa duket nuk na janë çliruar ende. është e vërtetë nuk jemi nisur mirë, por është ende fillimi dhe lufta është e gjatë.
Duket se e keni komplikuar disi luftën për titullin kampion...?
Normale që është komplikuar, sepse ne ishim 2 pikë para Salzburgut dhe 5 lart Austrisë së Vjenës, ndërsa tani jemi 3 pikë prapa Salzburgut dhe njësoj me Austrinë. Por, këtë javë kemi ndeshje direkte me Salzburgun dhe ndoshta e rikuperojmë këtë diferencë.
Mund ta thyeni këtë dominim të Salzburgut në Austri?
Besoj se po, pasi pavarësisht ecurisë së mirë që ka Austria e Vjenës, të gjithë këtu mendojnë se vetëm ne do të rivalizojmë për titull me Red Bull. Personalisht kam një dëshirë shumë të madhe, e kam si një ëndërr dhe objektiv, që të shpallem kampion edhe në Austri, siç kam bërë në Shqipëri. Por, Salzburgu është një skuadër me më shumë buxhet dhe me futbollistë tepër të paguar, kështu që nuk është shumë e lehtë.
Të dielën keni një përballje direkte me Salzburgun, një skuadër që gjithnjë i ke shënuar...?
Vetëm këtë vit në fakt i kam shënuar dy herë, kur isha me Riedin dhe një gol këtu me Rapidin. Nuk e di nëse do të jem titullar, sepse këtu askush nuk e ka vendin të sigurt. Ka vërtetë shumë konkurrencë dhe trajneri i mban të gjithë nën tonus. Unë vetë luajta ndeshjen e parë, në të dytën e nisa nga stoli.
Të mërkurën luajmë ndaj Irlandës së Veriut, një skuadër që ka shumë futbollistë në Angli, si e sheh këtë sfidë?
Që kur e mora vesh kë do të kishim kundërshtar e dija që do të ishte një skuadër e përbërë nga futbollistë që luajnë në kampionatin anglez. Janë një skuadër jo shumë e madhe, por që janë para nesh në renditjen e FIFA-s.
Sa mund të na vlejë një ndeshje e tillë?
Në ekipin kombëtar jo vetëm një ndeshje, por edhe një grumbullim na vlen shumë, pasi shihemi shumë rrallë dhe trajneri e ka mëse të nevojshme të shohë formën e futbollistëve. Them se objektivat tanë duhet të jenë pikërisht të fitojmë ndaj skuadrave të tilla, që janë një nivel më lart se ne.
Në kombëtare kthehen disa lojtarë si Lala, Beqaj, sa të rëndësishëm janë këta për ekipin?
Në fakt, janë vërtetë shumë të rëndësishëm. Futbollistë si Skela, Lala, Beqaj, janë vërtetë ikona në futbollin tonë. Aktualisht në kombëtare ka shumë lojtarë të rinj, por të gjithë ata kur shohin lojtarë të tillë, marrin zemër dhe atmosfera është më tjetër. Ata janë gjithnjë ndihmë për të gjithë ne.
është Bogdani-Salihi dyshja ideale e kombëtares, për momentin flas?
Dyshe ideale nuk ka asnjëherë, megjithatë të them të drejtën kohët e fundit me Bogdanin jemi gjetur mirë në fushë dhe mbi të gjitha, kemi shënuar edhe gola.
Kapllani është rikthyer në formë, e ndjen konkurrencën?
Në radhë të parë më bëhet qejfi për Mondin, pasi sa më mirë të ecin futbollistët tanë, aq më mirë është. Nuk e shoh në këtë aspektin e konkurrencës, pasi ai ka qenë pjesë e ekipit dhe nuk është se ndonjëri nga ne dyshonte të vlerat e tij.
Kombëtarja i nis eliminatoret nga Rumania, duket si një shans për t'u hakmarrë apo jo?
Futbolli nuk ecën me hakmarrje, por unë them se do të isha shumë i kënaqur nëse ne marrim pikë atje. Ajo do të ketë më shumë rëndësi se këto të tjerat. Unë në atë ndeshje kam qenë në stol dhe jemi ndjerë vërtetë keq.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›