Zvarritet Edi Rama, pas 6 muajsh mbërrin tek Ben Blushi
Duke ecur politikisht si gaforrja, Edi Rama është zvarritur 6 muaj pa sukses rrugëve, për të mbërritur me dështim të plotë tek kërkesa formale e opinionit publik, por edhe e deputetëve të LMN-së, se opozicioni duhet kryer vetëm në parlament. Kapitullimi nuk po shoqërohet me ndonjë llogaridhënie, megjithatë hesapet nuk konsiderohen të mbyllura e pas ridaljes së sotme nga parlamenti, kurioziteti kryesor do të drejtohet nga zhvillimet brenda PS-së
Edi Rama është zvarritur prej 6 muajsh. Dje ai paralajmëroi fundin, sipas standardit të tij, të kësaj zvarritjeje. Në fund të 6 muajve të kësaj zvarritje, në një bilanc të shpejtë, kupton se Edi Rama nuk ka shkuar më shumë se tek Ben Blushi dhe deputetët e tjerë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe të PS-së. Ndërsa në një bilanc, edhe më të matur, apo edhe më të studiuar, kupton se Edi Rama ka arritur atje ku Ben Blushi dhe deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, kanë 6 muaj që e artikulojnë dhe e kërkojnë. Për pasojë, e thënë më ndryshe, Edi Rama në 6 muaj është zvarritur, por mbrapsht, sikurse bën edhe gaforrja.
Në raport, apo në krahasim me situata e rrethana të ndryshme, 6 muaj, mund të mos jenë shumë, saktësisht, mund të jenë pak...
Por, në të tjera situata e rrethana, ku Edi Rama tentoi të bënte protagonistin, i kapur pas “kutive”, një pretekst që edhe ai vetë nuk e besonte, 6 muaj janë shumë, jo pse deputetët në tentativë të PS-së, kanë 6 muaj pa paga, por sepse opozita e drejtuar nga Edi Rama, këto 6 muaj i ka pasur pushime. është e pafalshme, për më tepër e pakonceptueshme që në një vend, opozita të bëjë pushim dhe jo pak, por 6 muaj, ndërsa mazhoranca, saktësisht qeveria, të punojë e pa shqetësuar.
Sot pas 6 muajsh, kjo zgjedhje e opozitës, tingëllon shumë më shumë e pajustifikuar. Mosjustifikimi i saj qëndron në faktin se, “hapja e kutive” si kusht për të hyrë në Parlament, kërkesë e përdorur me shumë sforco nga opozita si “kalë beteje”, nuk ndodhi. Sot opozita, ndërsa pritet të hyjë në parlament, hyn pa “hapur kutitë”.
Nga ana tjetër, me këto 6 muaj pushime, me ca me nder protestash, nëpër qendra vetëm qytetesh kryesore, opozita shpërdoroi më shumë se kohën, një mundësi në demokraci, sikurse është e drejta e protestës.
Pas hyrjes së sotme në Parlament, me gjithë fjalimin e sforcuar të djeshëm të Edi Ramës, sa për të mbajtur të karikuar mbështetësit dhe anëtarësinë e PS-së, nën pretekst-gënjeshtrën e “hapjes së kutive”, askush, mbështetës e anëtar i PS-së, nuk do të harxhojë kohën të dalë në këto protesta të paralajmëruara. Nuk do të marrë pjesë askush, sepse të gjithë e dinë, se në qoftë se deputetët e PS-së, do të dalin sërish sot nga Kuvendi, sikurse përflitet, ata nuk do të mungojnë në seancën periodike të radhës, pas 6 muaj, kur rrezikojnë të humbasin mandatin sërish, apo edhe pagën. Pra, askush nuk do të dalë më në protesta, në shi apo diell, në të ftohtë apo në vapë, duke e bërë natën ditë e duke ngrënë bukë me qofte, mbështetur pranë ëC-ëve portative, për t’i ndërprerë këto gjatë periudhës, kur saimirët e ditmirët e Edi Ramës, do të duhet të konfirmojnë moshumbjen e mandatit dhe për më tepër pagën e deputetit.
Me tërheqjen më të fundit të radhës nga Edi Rama, në kushtet kur ai sajoi një kauzë virtuale me “hapje kutish”, ai demonstroi jo aq mungesën e vizionit, sesa mungesën e besimit, në radhët e mbështetësve dhe anëtarësisë s PS-së. Në kushtet e mungesë së një kauze reale, me gjithë serialin e radhës të pretendimeve, që Edi Rama pritet ët fillojë ën përfundim të seancës së sotme parlamentare, të gjithë tashmë e kanë të ngulitur në kokë, se çfarëdo që të bëjë, kudo që të shkojë, sërish ai me zvarritje, sërish si gaforre, do të kthehet aty ku janë sot, Ben Blushi dhe deputetët e tjerë të Lëvizjes ëpr Mendim Ndryshe. Pra Edi Rama, nuk do të bëjë asgjë më shumë se do të vazhdojë të bëjë pushimet e mundshme të radhës edhe për 6 muajt e ardhshëm, për të rikthyer aty ku është sot...