Salihi “mundet” nga boshnjaku Musliç

SV Ried, skuadra austriake e sulmuesit shqiptar, Hamdi Salihi, kapi kreun e T-Mobile Bundesliga (6 pikë në 3 ndeshje), por minutat e sulmuesit shqiptar me nënkampionen e Autrisë po bëhen gjithmonë e më të pakta. Trajneri Helmut Kraft duket se beson gjithnjë e më pak te shqiptari, ndërsa e kundërta duhet thënë për zëvendesuesin e tij te sezonit te kaluar, serbin Jovan Damjanovic.
SV Ried, pas fitores një javë me parë me Altac (3-2), arriti fitoren e dytë në transfertë dhe në kampionat kur fitoi 3-0 në transfertën me Austria Kernten duke kryesuar i vetëm renditjen, por Salihi nuk u aktivizua në këtë takim. Boshnjaku Miron Muslic, i cili u huazua nga SGC Reichenau te SV Ried të premten e kaluar, zëvendësoi serbin Damjanovic në minutën e 83-të, ndërsa Salihi që ishte në bankinë nuk luajti për asnjë minutë.
Sulmuesi serb, i cili kampionatin e kaluar ishte opsioni i dytë i trajnerit pas Hamdi Salihit, është njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i SV Ried me tre gola nga 7 gola që ka shënuar skuadra në tri takimet e para. 24-vjecari Hamdi Salihi, i cili shënoi 6 gola (në 15 ndeshje) gjatë fazës së dytë të kampionatit të kaluar, ende nuk ka realizuar golin e nderit në 145 minutat e aktivizimit të tij.
Por, nëse i ka munguar goli në kampionat, Salihi shënoi në fitoren e SV Ried me skuadrën azerbaixhanase Nefti Baku (3-1), në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA. Ndeshjen e ardhshme, SV Ried, do ta luajë në shtëpi kundër Austrisë së Vienës.