Myrtaj optimist, rrezikon skualifikim modest

Odiseja e Florian Myrtaj vazhdon në Itali, por duket se shqiptari ka gjasa të shpëtojë nga ndëshkimi i rëndë për përdorim të substancave te ndaluara. Të premten sulmuesi shqiptar i Teramos u paraqit në Komisionin Antidoping të Komitetit Olimpik Italian (Koni) së bashku me mjekun, Nino Bonolis, ku dhanë argumentat e e tyre përballë gjykatësve të Prokurorisë Sportive. Bashkë me Myrtajn dhe Bonolis ishte dhe avokati Grasani nga Bolonja, që duket se ka ndikuar jo pak me rolin e tij. Sipas gazetës "Il tempo", vendimi përfundimtar i Komisionit Antidoping të Konit do të jepet në mesin e muajit gusht, por në shtëpinë bardhekuqe të Teramos optimizimi është në rritje. Doktori Bonolis tregon gjithcka: "Bëmë të qarta arsyet tona, besoj se gjithcka do të zgjidhet me një skualifikim të vogël". Florian Myrtaj, duket me i qetë dhe i vetëdijshëm se është i pafajshëm në këtë histori: "Ky nuk është antidoping. Bëhet fjalë vetëm për një gabim burokratik. Para ndeshjes me Ankonën e bëmë të qartë se kisha bërë një infiltrim kortizoni për të kuruar një enjtje dhe për të bërë të mundur futjen në lojë. Nevojitej edhe të dërgoja brenda njëzet e katër orëve edhe një letër organve kompetente për t'i informuar rreth cështje. Për fat të keq letra nuk u nis. Besoj se ishte një gabim pa dashje. Përpara gjyqtarëve të Prokurorisë doktor Bonolis shpjegoi gjithcka duke marrë përsipër mbi vete të gjitha gabimet. Jam i bindur për një ndëshkim shumë të arsyeshëm". Myrtaj të premten u bashku me grupin në Lago Verdo për të qenë sërish nën urdhërat e Rosit. Gjithsesi për shërbimet e Myrtaj interesohet vazhdimisht Paganeze. Neser Teramo do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë miqësore me një seleksion amator të Val Vibrtatës. Teramo dhe Xhulianova dy skuadrat e rrëzuara nga Seria C1/B do të marrin pjesë në kampionatin italianë në Grupin B të Serinsë C2 së bashku edhe 15 ekipe të tjera të këtij grupi.