Salla: ISUV, analiza rreth 10 mijë kampionëve në të gjithë vendin për murtajën e të imtave

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), po vijon zbatimin e programit kombëtar të monitorimit për Murtajën e Ruminantëve të Vegjël (PPR), përmes analizave laboratorike që mbulojnë gjithë vendin.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur se ISUV po aplikon metoda të akredituara diagnostikimi, si RT-PCR dhe ELISA-Ab, për të evidentuar praninë e virusit dhe për të identifikuar qarkullimin e tij edhe në zona të panjohura më parë si të prekura.
“Në zbatim të planit të kontigjencës, pritet të analizohen rreth 10 mijë kampionë në të gjithë vendin”, u shpreh Salla.
Ai theksoi se siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të kafshëve mbeten ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas Sallës, monitorimi dhe diagnostikimi i hershëm janë elementë kyç për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në blegtori dhe për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore në vend.
/e.xh/j.p/r.e/