Salla: Monitorime në terren për etiketimin e produkteve ushqimore nga fermerët

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Procesi i etiketimit dhe gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore do të jetë në fokus të inspektimeve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në të gjithë vendin.
Kështu deklaroi sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një konference për shtyp, ku foli mbi masat e ndërmarra pas dakordësive me fermerët.
“Me fermerët kemi pasur një takim dhe dakordësi për disa nga pikat. Aktualisht jemi duke përmbushur kërkesat e tyre për proceset dhe detyrat ligjore që kemi. Një nga proceset më të rëndësishme është etiketimi i produkteve, i cili lidhet drejtpërdrejt me gjurmueshmërinë e tyre dhe transparencën për konsumatorin”, tha Salla.
Ministri informoi se javën e kaluar janë hapur procedurat për rifillimin e inspektimeve nga AKU në të gjithë territorin e vendit, pas një periudhe kur ato kishin qenë të reduktuara për shkak të një urdhri të mëparshëm.
Salla theksoi se inspektimet në terren do të monitorojnë mënyrën se si bizneset etiketojnë produktet, duke përfshirë veçanërisht produktet e qumështit dhe nënproduktet e tyre.
“Nëpërmjet analizave dhe inspektimeve në terren do të verifikojmë nëse produktet përputhen me deklarimet në etiketa. Bizneset janë paralajmëruar më herët që të përgatiten dhe të jenë pjesë e procesit të etiketimit të saktë”, tha Salla.
Ministri Salla u shpreh se “monitorimi i këtij procesi synon të mbështesë prodhimin vendas dhe të forcojë sigurinë e konsumatorit për produktet që konsumojnë, si edhe për informacionin e deklaruar në paketim”.
/k.s/a.f/