E Diel, 1 Nëntor 2026

“Salla e banjës”, aty ku femrat flasin për meshkujt

SHKRUAN: Aida Tuci 08-03-2011 15:59

Hajrie Rondo një nënë 60-vjeçare, e ve, jeta e së cilës vërtitet rreth lumturisë së të bijës, e cila nuk pajtohet me mënyrën sesi kjo rini e shikon dhe e kërkon të ardhmen. Ajo gjendet në një merak të vazhdueshëm për të ardhmen e vajzës së saj. Vajza e saj është 30 vjeçe, në kërkim të dashurisë dhe njeriut ideal. Një tjetër 30-vjeçare, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, që përjeton tradhtinë e bashkëshortit. Më tej një tjetër 30-vjeçare, që e gëzon jetën në mënyrën më të lirë të mundshme. Që hidhet sa në krahët e një lidhjeje te një tjetër, por që mëmësia e vë përballë një fati të pashmangshëm. Panoramës së personazheve nuk mund t’i mungonte lozonjarja 22- vjeçare që dëshiron të marrë nga rinia e saj më të mirën, pa e vrarë mendjen për cilësinë e lidhjeve sentimentale që krijon. Janë këto histori njerëzore që ndërthuren në komedinë “Salla e banjës”, e autores Astrid Veillon, që do të vijë sot më 8 mars, nën regjinë e Inis Gjonit. “Është zgjedhur pikërisht data 8 mars, dita e femrës, çka simbolizon jo pak edhe veprën në fjalë”- u shpreh regjisorja Gjoni në prezantimin e veprës, që vjen premierë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Ndërsa për aktoren Hajrie Rondo, e cila ka në krah në këtë komedi dhe vajzën e saj, kjo shfaqje flet për të gjitha gratë. “Kjo shfaqje ёshtё njё pikё referimi pёr gratё, ku secila mund të gjejë veten”- u shpreh aktorja me përvojë e skenës së teatrit. Pesë gratë e shohin qenësinë jetës së tyre në këndvështrime të ndryshme. Në fakt, Loluja është personazhi kryesor i kësaj vepre, por po kaq të rëndësishëm janë edhe personazhet e tjera dhe historitë e tyre. Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme. Lolu është një vajzë e cila mbush 30 vjeç. Ajo ka vendosur të festojë ditëlindjen me miken e saj më të ngushtë, por edhe me shoqërinë e saj të zgjeruar. Pikërisht në ditën e datëlindjes nisin dhe zbulohen të thënat apo dhe pak të thënat e 4 shoqeve të ngushta në raportet e vërteta të tyre me meshkujt. Ndoshta për t’i dhënë tone “serioze” bisedave femërore rreth seksit të kundërt apo për t’i ironizuar ata, autorja e zhvendos gjithë bashkëbisedimin në një mjedis banjoje. Ndërsa festa nis në shtëpinë e Lolusë, hapësira më intime për vajzat bëhet banjoja, ku 4 mikeshat nisin të flasin, të zbulojnë dhe të sqarojnë jetët e tyre. Ndërsa Maria është nëna e dy fëmijëve, bashkëshorte e devotshme, e vetmja ndër shoqet që është e martuar, por e pakënaqur nga martesa e saj. Enxhi, një vajzë shumë simpatike, por dhe shumë feministe, pak mashkullore në qëndrimin e saj. Koko një tjetër mikeshë e vajzave, më e reja nga shoqet e saj, vetëm 20 vjeç. Është tepër e përkëdhelur, por që deziluzionin nga meshkujt ajo e ka prekur shumë herët, pasi në pjesën më të madhe asaj i është dashur të lidhet me burra të martuar dhe për këtë zgjedhje ia vë fajin meshkujve. Në këtë atmosferë festive në dukje nisin dhe shfaqen shqetësimet, dëshirat, përpjekjet, kontradiktat, zhgënjimet e fshehta shpirtërore, tradhtitë dhe humbjet nga mosvendimet në kohën e duhur. Të gjitha këto orvatje vijnë si përpjekje për të gjetur bashkëshortin ideal dhe babanë e duhur të fëmijëve. Por a munden ato ta gjejnë në perimetrin e ngushtë të një banjoje? Në fakt, ideja e skenografisë së Beqo Nanajt është pikërisht kjo. Spektatorët ndoshta do të gjenden paksa të sikletosur kur përballë tyre të shfaqet një tualet femrash me të gjitha “mobiliet” e duhura, që nga dushi dhe vaska në qendër të skenës, pasqyra ku ato shohin veten teksa flasin për burrat, deri te një biçikletë sportive që është bërë pjesë e skenografisë, ndoshta për t’i ardhur në ndihme skenarit sesa vetë dekorit. Komedia “Salla e banjёs” ёshtё premiera mё e re e Teatrit Kombёtar. Kjo komedi e Astrid Veillos, vjen me regji tё Inis Gjonit dhe interpretimin e Hajrie Rondos, Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Niada Saliasi. Shfaqja do të ngjitet në skenë thuajse gjatë gjithë javës, duke filluar që sot më 8 mars deri më 13 mars. Julinda Harrallambi ka menduar për kostumet dhe grimin, ndërsa regjisorja Julia Sinanaj tashmë ka ndryshuar profil në këtë vepër si producente.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›