Rama uron nga shtëpia e Kristo Frashërit
Me rastin e festës së 7 Marsit, kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht kreu i opozitës, Edi Rama si dhe bashkëshortja e tij Linda kanë uruar të gjithë mësuesit, në një mënyrë mjaft domethënëse. Ata kanë zgjedhur Kristo Frashërin, si njeri i shquar i letrave dhe historisë shqipe, duke përcjellë kështu urimet për të gjithë mësuesit e njëkohësisht respektin për punën e çmuar që mësuesit shqiptarë kanë realizuar, për sakrificat, përkushtimin e rolin e tyre fisnik në edukimin e brezave të rinj. Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, sot universitetet janë kthyer në fabrika diplomash të pavlera, koston e të cilave do ta mbartë një gjeneratë e tërë. “Ndërkohë, gjëja që është akoma më e trishtueshme, është se investimi real në dije po shkon duke shteruar dhe po shkojnë duke shteruar edhe burimet njerëzore që ne mund të vëmë në dispozicion të dijes, për shkak të një atmosfere dhe të një mjedisi jashtëzakonisht jo të përshtatshëm që u është krijuar dhe mësuesve dhe pedagogëve në shkolla, në universitete, për shkak të një fryme që është më zi se kolektivizmi, pa asnjë lloj merite, pa asnjë lloj konkurrence, pa asnjë lloj sistemi të vërtetë vlerash, ku vlera e vetme është vlera materiale e propagandistike”, - pohoi Rama. Nga ana e tij, akademiku Kristo Frashëri u shpreh se kjo është një periudhë kur të gjithë njerëzit janë me gojë hapur dhe presin ç’do të ndodhë e kur do të kapërcehet kjo krizë, kjo gjendje e padurueshme. “Edhe një popull, thonë filozofët, kur e ka perspektivën e zymtë nuk ecën dot. Shpresa është vrarë dhe duhet ta ngjallim shpresën. Nëse nuk e ringjallim shpresën, ky vend ka marrë fund, po të kesh shpresë vendi do ringjallet, do rimëkëmbet”, - u shpreh Frashëri.