E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salloniti, kurrë nuk aktivizohet

Fabrika e sallonitit në Han të Elezit, dikur prodhuesi i vetëm i gypave dhe pllakave të azbestit, nuk do ti kthehet më kurrë punës së vjetër. Arsyeja është përdorimi i azbestit në procesin e prodhimit, i cili rrezikon ambientin me materie kancerogjene.

Pas intervenimit të ushtarëve të KFOR-it të vendosur në kufi në mes të Kosovës dhe Maqedonisë dhe pas analizave që u bënë në një institut në Holandë, në fillim të vitit 2000 fabrika u mbyll përgjithmonë. Koncentirmi i materieve kancerogjene rreth fabrikës dhe brenda saj ishte shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Po ashtu, tashmë nuk përdoren pllakat dhe gypat e azbestçimentos që ishin prodhimet kryesore të saj.

Por, punëtorët kurrë nuk janë pajtuar me këtë vendim. Ndërsa, shpresat për një rikthim të mundshëm i ka shuar përfundimisht Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila ka nxjerrë në shitje këtë fabrikë, në ambientet e së cilës është vendosur terminali doganor.
Fabrika e sallonitit nuk mund të aktivizohet për shkak të materies së azbestit, është përgjigjur shkurt, Arta Gosalci, zyrtare për informim në AKP.

Në kërkesën e tyre, punëtorët nuk kanë gjetur përkrahje as te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Nënkryetari i saj, Hasan Abazi, ka thënë se kjo sindikatë përkrah iniciativat botërore për eliminimin e materies se azbestit, prandaj në këtë drejtim fabrika duhet të transformohet në diçka tjetër.

Duhet të gjendet një zgjidhje për punëtorët kur të shitet fabrika, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ekspertët japin shumë arsye pse fabrika nuk bën ti kthehet zanatit të vjetër. Ata përveç azbestit, përmendin edhe administratën kufitare, e cila është shumë afër fabrikës. Gjithashtu në atë zonë janë të dislokuara forcat e KFOR-it, të cilat rrezikohen.

Ka qenë një rast pas luftës, kur ushtarët e KFOR-it kanë ikur nga ajo zonë, si rezultat i rrezikshmërisë nga azbesti, ka thënë ambientalisti Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Ai theksoi se në përgjithësi çimentoret janë shumë të rrezikshme. E vetmja mënyrë për rikthim, sipas tij, mund të jetë nëse azbestit do të kontrollohej dhe lirohet në sasi të lejuara.

Për shkak se nuk e di dimensionin për ta minimizuar ndotjen nga azbesti, nuk mund të jap një mendim të prerë se a është i drejtë riaktivizimi i fabrikës, tha Shllaku.
Ndryshe, AKP-ja ka paraparë që në valën e 40 të privatizimit, Fabrika e sallonitit të shitet, duke shuar kështu shpresat për një rikthim të mundshëm të saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›