E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjurmë të trafikantëve

Katër personat, të cilët Policia e Kosovës i ka identifikuar si të dyshuar për përfshirje në kontrabandim ilegal të njerëzve drejt shteteve të Perëndimit, janë nga rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, dhe Gjilanit.

Në fakt, së paku dy prej tyre u takojnë qyteteve më të vogla të këtyre rajoneve, por tash për tash është i vështirë identifikimi i vendbanimit të saktë për shkak se ata kanë disa adresa.

Fletarrestimet për këta katër persona janë lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kanë konfirmuar të hënën zyrtarë të policisë për Express.

Burimet e gazetës sqarojnë se personi i pestë i cili është vetëlajmëruar me një grumbull parash në duar, para këto të dhëna nga personat që dyshohet se kanë humbur jetën në lumin Tisa, në kufirin serbo-hungarez, është i pesti me radhë.

Ky person ka pasur me vete një sasi prej më shumë se 10 mijë eurosh para të gatshme, të cilat i janë konfiskuar nga policia, thotë burimi i gazetës, i afërt me hetimin e këtij rasti.

Megjithëkëtë, i vetëlajmëruari në polici, i cili është gjithashtu nga rajoni i Prishtinës, nuk është arrestuar nga policia dhe i njëjti, pasi ka dhënë deklaratën, është lënë i lirë, deri në ndonjë vendim tjetër të organeve përkatëse.

Ky person ka qenë edhe më herët nën hetim nga policia në lidhje me këtë çështje, para se ai të vetëdorëzohet, sqaron ky zyrtar për Express, sipas të cilit, në këtë biznes, ky person dyshohet se ka pasur detyrën e ndërmjetësuesit ndërmjet kontrabanduesve dhe viktimave.

Vetëlajmërimin e këtij personi në polici, e konfirmojnë edhe zyrtarë të misionit të EULEX-it, të cilët sqarojnë se ata kanë filluar hetimet në lidhje me kontrabandimin e emigrantëve, ku përfshihet numri prej 19 kosovarëve, nga të cilët supozohet se 16 kanë gjetur vdekjen në lumin Tisa.

Të shtunën mbrëma, një person erdhi vetë në Policinë e Kosovës dhe e dha një deklaratë të rëndësishme lidhur me përfshirjen e tij në këtë rast. I dyshuari i dorëzoi policisë paratë që i ishin dhënë nga viktimat si garanci e pagesës (kapar) për organizimin e kontrabandimit të tyre, thuhet në njoftimin e lëshuar nga misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Hetimet tregojnë që të dyshuarit i janë paguar nga 6 mijë deri 8 mijë euro për secilin grup të familjeve, shpjegojnë zyrtarët e EULEX-it, sipas të cilëve, hetimet aktualisht janë të përqendruara në identifikimin e personave jashtë vendit që ishin të lidhur me organizatorët e kontrabandimit, e të cilët ndihmonin gjatë kalimit transit të personave përtej kufijve.

Hetimet në lidhje me këtë rast është duke i kryer Njësiti Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të Policisë së Kosovës dhe prokurorëve të EULEX-it.

Për këtë tragjedi, së cilës ende nuk i dihet fundi, dy policët hetues të Policisë së Kosovës, nga dita e diel, janë në Hungari së bashku me prokurorin e EULEX-it, Francesko Mandoi.

Por derisa Policia e Kosovës ka filluar të kërkojë katër personat e dyshuar për përfshirje në këtë rrjet kontrabanduesish, drejt qytetit Subotica, që ndodhet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, të hënën është nisur Vesel Jahaj.

Veseli është babai i Elvira Jahajt, e cila është identifikuar si viktima e tragjedisë së Tisës, së cilës nga mbytja i kanë shpëtuar burri i saj, Blerim Rama, që edhe ka lajmëruar për këtë rast dhe dy fëmijët e saj, 1 dhe 3 vjeç.

Udhëtimin e Veselit drejt Suboticës e konfirmojnë për Express familjarët e tij, të cilët megjithatë nuk japin shumë detaje për mënyrën e udhëtimit të tij.

Ndërkohë, sipas Policisë së Kosovës, ende nuk është arrestuar asnjë person në lidhje me këtë rast, ashtu siç edhe në Serbi dhe Hungari nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.

Deri më tash, nga 15 tetori kur ka ndodhur rasti, nuk ka ende një konfirmim zyrtar për numrin e personave që dyshohen si të mbytur në lumin Tisa. Nga ky rast janë gjetur tre trupa të pajetë që dyshohet si i takojnë Elvira Jahajt dhe Brahim Kocit, si dhe një trup tjetër femre, i paidentifikuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›