E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salmonela helmoi dasmorët

 Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se, helmimi i dasmorëve në fshatin Gorishovë të Fierit ka ndodhur për shkak të konsumimit të mishit të infektuar nga salmonela.

Por specialistët e Institutit hedhin poshtë rezultatet e dala nga Drejtoria e Shëndetit në Fier, sipas të cilave kuzhinieri ka qene i infektuar nga salmonela e më pas bakteri të jetë përhapur tek dasmorët.

I kontaktuar me telefon, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Adrian Hoxha tha se nuk ka qene kuzhinieri ai qe ka transmetuar salmonelen, pasi rezultatet e analizave te tij te kryera ne Institutin e Shëndetit Publik kane rezultuar negative.

Ndërkohë që të hënën pritet të dalin përgjigjet e analizave më të detajuara të produkteve të konsumuara, por dhe të dasmorëve. Deri më tani është konfirmuar që mishi i konsumuar në ceremoninë e martesës të dielën në Gorishovë ka qenë i infektuar me salmonele.

Sipas informacionit zyrtar te ISHP, rreth 100 persona që u helmuan nga konsumimi i mishit në një ceremoni martese në fshatin Gorishovë në Cakran të Fierit kanë marrë gjate kësaj jave ndihmën e specializuar mjekësore ne spitalin e Fierit dhe Ballshit, njofton TCH.

Aktualisht në Spitalin Infektiv të qytetit të Fierit ndodhen të shtruar rreth 13 dasmorë nga 28 që ishin në fillim, ndërsa në spitalin pediatrik po trajtohen 4 fëmijë, edhe këta të helmuar në dasmë. Drejtori i ISHP-së ka deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore është e përmirësuar. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›