Samaras:Ivanov dhe Gruevki po destabilizojnë Ballkanin

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski po destabilizojnë Ballkanin. Këtë akuzë e ka bërë partia e djathtë greke Nea Demokratia dhe lideri i saj Antonis Samaras.
“Presidenti i Shkupit tregon se nuk ka mësuar asgjë nga Samiti i NATO-s në Çikago dhe nga rezultatet që ka arritur vendi i tyre. Prandaj, ai së bashku me Nikolla Gruevskin po vazhdojnë me qëndrimet e tyre që çojnë në destabilizimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, duke përjashtuar nismat greke për gjetjen e një zgjidhje korrekte dhe afatgjate për çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve”, thuhet në reagimin e ND-së, të firmosur nga Panos Panajotopulos, përgjegjësi për politikë të jashtme i kësaj partie.
Reagimi i tyre vjen pas intervistës së presidentit Ivanov ku ai thotë se Greqia duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe të mos kushtëzojë për zgjidhjen e kontestit të emrit.