Samiti i G20, kriza e borxheve dhe Greqia
Objektivi përfundimtar është të sigurohet më shumë punë për qytetarët, të promovohet përfshirja sociale në të gjitha vendet, si dhe…të nxitet zhvillimi dhe ulja e varfërisë, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara në mbarë botën.
Duket se Samiti i BE-së, që përfundoi më 27 tetor në Bruksel, me gjithë vendimet e rëndësishme që mori (paketa e masave për rikapitalizimin e bankave, forcimi i fondit europian të stabilitetit financiar, FESF, kontribut më të madh të sektorit privat, program i ri i ndihmës për Greqinë), u fut në vështirësi të paparashikuara për shkak të nismës së Kryeministrit grek Papandreu, për zhvillimin e një referendumi popullor për miratimin e këtyre masave dhe zbatimin e tyre. Eurozona u shkund përsëri, tregjet financiare u tronditën dhe bursat europiane shënuan ulje të ndjeshme, liderët europianë u zemëruan. Tronditja e tregjeve erdhi si rezultat i tmerrit të investitorëve se Greqia mund të dalë nga monedha e përbashket duke shpallur defoltin. Dy nisma të menjëhershme u ndërmorën: Samiti i G20-s, që u mblodh dhe zhvilloi punimet në Kanë të Francës dhe Samiti SHBA-BE, që pritet të zhvillohet më 28 nëntor në Washington DC. Pra në harkun kohor të një muaji tri samite. Në qendër të tyre: kriza e borxheve dhe situata në Greqi. Po çfarë ndodhi?
ZHVILLIMET E REJA NJE JAVE MES SAMITIT TE BRUKSELIT DHE ATIJ TE KANES
Vetëm një javë nga përfundimi i Samitit të BE-së në Bruksel (27 tetor), ngjarjet e rrokullisën me shpejtësi, situata u tensionua, kriza po rikërcënon. Presidenti i BQE (Banka Qendrore Europiane), JeanClaude Trchet, dha dorëheqjen (përfundoi mandatin) dhe u zëvendësua nga Mario Dragi. Ditë më parë, Organizata Ndërkombëtare e Punës paralajmëroi rrezikun që kanos ekonominë globale dhe veçanërisht eurozonën edhe për vitin 2012, recesion ekonomik, rritje e papunësisë, mundësi të rritjes së trazirave sociale në këto vende. Ndërsa nismës së Kryeministrit grek, Papandreu, për zhvillimin e një referendumi popullor për miratimin e marrëveshjes së BE-së për qethjen 50% të borxhit grek, drejtuesit më të lartë të BE-së dhe Gjermania e Franca iu përgjigjën duke kërkuar një takim kritik ditën e mërkurë të javës së shkuar me Greqinë dhe TOP-Institucionet Financiare Europiane, para Samitit të G20-s dhe vendeve në zhvillim, që u mbajt në Kanë të Francës.
Presidenti Sarkozi ka qenë ai që ka anonçuar këtë takim emergjent pas vendimit të qeverisë. Sarkozi deklaroi para fillimit të Samitit të G20-s se zgjidhja e problemit mund të arrihet me një marrëveshje të gjerë të kontinentit, ndoshta duke lënë të gjerë mundësinë e vendeve jashtë eurozonës.
Hapja e Samitit të mërkurën në mbrëmje me takimin (darkë pune) mes Presidentit francez Sarkozi, kancelares gjermane Merkel, Presidentit të BE-së, Rompuy, Presidentit të KE-së, Barroso, drejtueses më të lartë të FMN-në, Langard., shefit të ri të BQE, Dragi dhe Kryeministrit grek Papandreu, u parapri me një deklaratë shumë të shkurtër, por të prerë të Presidentit të KE-së, Barroso, thelbi i së cilës ishte më tepër një thirrje drejtuar Greqisë për unitet kombëtar dhe mbështetje për zbatimin e marrëveshjes së BE-së (të 27 tetorit) për reduktimin 50% të borxhit grek. Me takimin (6+1) të së mërkurës u hap sipari i Samitit të G20-s që i zhvilloi punimet të enjten.
ÇFARE DISKUTOI DHE VENDOSI SAMITI I G20
Në qendër të punimeve të këtij Samiti ishin kriza globale, kriza e borxheve në eurozonë dhe Greqia. Më konkretisht, çështjet që ishin në rend të ditës dhe u diskutuan ishin:
1. Situata ekonomike globale (plan veprimi për rritje dhe punësim). 2. Reformimi i Sistemit Monetar Ndërkombëtar. 3. Qeverisje globale. 4. Lufta kundër korrupsionit. 5. Rregullimi financiar.
Pas diskutimeve dyditore liderët politikë të shteteve më të fuqishme të botës prodhuan një plan veprimesh për forcimin e rritjes ekonomike dhe për të ribalancuar ekonominë globale. Fundi i Samitit pati premtime të shumta nga liderët për të punuar bashkë përballë sfidave ekonomike që duhet të trajtohen në mënyra të ndryshme nga shtete të ndryshme. Sigurisht që kriza e eurozonës ishte në qëndër të këtij Samiti. Presidenti francez Sarkozi, në konferencën për shtyp, deklaroi se ne do të mbrojmë Europën dhe euron. Ai deklaroi në vazhdim se G20-a ra dakord për rritjen e fondeve të FMN-së dhe se vendimet për hapat që do të merren në këtë drejtim do të vendosen deri në shkurt. Me këtë vendim, liderët shpresojnë se rritja e fondeve për FMN-në do të bëjë të mundur që ky institucion të ndihmojë vendet e eurozonës që kanë probleme, si p.sh. Greqia, Italia, Spanja, Portugalia.
Z. Barroso deklaroi se shpreson që Greqia të qëndrojë në zonën euro, por se qëndrimi do të thotë që vendi të marrë përgjegjësitë e tij.
David Kameron deklaroi se FMN duhet të ketë burimet që i nevojiten sepse kjo gjë është thelbësore për besimin dhe stabilitetin ekonomik. Por, në vazhdim, ai ritheksoi se Britania e Madhe nuk do të kontribuojë për shpëtimin e euros. Në komunikatën zyrtare, liderët e G20-s mirëpritën planin e miratuar të liderëve europianë muajin e fundit për të trajtuar krizën e borxhit në eurozonë. Ata gjithashtu përshëndetën Italinë për pranimin e FMN-së, që të monitorojë progresin e reformave fiskale në vend.
Deklarata zyrtare e preku vetëm në mënyrë kalimtare Greqinë, e cila shkaktoi një turbullirë para fillimit të Samitit përmes shpalljes së një referendumi kundërshtues. G20-a gjithashtu siguroi që FMN ka resurse të mjaftueshme për mbështetjen e ekonomive që zhyten në probleme financiare. Zyrtarët e SHBA në mënyrë të vazhdueshme përsëritën që FMN ka resurse të mjaftueshme për të arritur objektivat e saj, por rreziku në rritje për mundësitë e një defolti në Europë e bën të nevojshme rritjen e kapacitetit të saj. Liderët u vunë detyra ministrave të Financave te eksplorojnë opsione të ndryshme për të rritur fleksibilitetin e fondit, duke përfshirë kontributet bilaterale, përdorimin e të Drejtave Speciale të Tërheqjes (DTS) dhe krijimin e një fondi besimi për kontribute vullnetare.
Ndërkohë, plani i veprimeve është i përbërë nga një politikë e gjerë direktivash për ekonominë globale, shumë nga të cilat u diskutuan nga anëtarët e G20-s. Ky plan fillon me Europën, pikërisht me implementimin e planit të 27 tetorit, duke përfshirë çlirimin e borxhit për Greqinë, kërkesat e reja të kapitalit rezervë të bankave si dhe krijimin e një muri mbrojtës më të fortë për të mbrojtur ekonomitë vulnerabël të eurozonës.
Për të siguruar një ringritje të balancuar globale, G20-a u bëri thirrje ekonomive të zhvilluara të vazhdojnë me programet e konsolidimit të duhur fiskal.
Obama, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ra dakord ta mbështesë ekonominë e tyre përmes investimeve qeveritare, reformave të taksave dhe programeve të krijimit të vendeve të punës. Në të njëjtën kohë, qeveria e SHBA do të vazhdojë të ndërmarrë hapat për të shkurtuar deficitin dhe ulur borxhin përmes programit të saj afatmesëm të konsolidimit fiskal.
Vendet e G20-s që kanë teprica të mëdha të buxhetit, si Kina, do të ndërmarrin masa për të mbështetur kërkesën e brendshme sipas planit. Kina gjithashtu ka rënë dakord të bëjë lëshime lidhur me konvertueshmërinë graduale të monedhës së saj dhe do të zbusë kursin me të cilin ajo akumulon rezerva.
Por cilat ishin me konkretisht çështjet më të rëndësishme të deklaratës përfundimtare të G20-ës?
Në mënyrë të përmbledhur ato kanë të bëjnë me:
-Vendimin për të mbështetur FMN dhe për të rritur fondet e tij n.q.s. është e nevojshme. (Ne do të sigurojmë që FMN të vazhdojë të ketë burime në mënyrë që të luajë rolin e saj sistematik për të mirën e të gjithë anëtarëve të saj, duke u mbështetur në burime të konsiderueshme që ne kemi mobilizuar ta
