Samiti i IV i Diasporës, Peleshi: Shqiptarët në botë janë sot një shëmbëlltyrë suksesi

Samiti i IV i Diasporës po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke sjellë në qendër të vëmendjes rolin e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin e Shqipërisë. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi këtë ngjarje si një moment të veçantë për vendin, në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai nënvizoi se shqiptarët në rajon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës, janë sot pa dilema në krah të europianizimit të rajonit.
“Samiti i diasporës është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë. Të flasim në Tiranë për lartësimin e shqiptarëve bën kuptim më shumë se asnjëherë sot që Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në BE. Shqipëria po fiton sot një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes dhe e vendosur në anën e drejtë të historisë. Sot që shqiptarët në rajon, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e ZI, Luginën e Preshevës janë pa dilema në krah të europianizimit të rajonit tonë”, tha Peleshi.
Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë në botë, teksa theksoi se ata janë sot një shëmbëlltyrë suksesi.
“Sot shqiptarët në diasporë janë konfirmuar si kontribuues të shoqërisë demokratike. Shqiptarët në botë janë sot një shëmbëlltyrë suksesi. Nuk jeni individët që ndihmuar familjet tuaja të mbijetonin, por një burim faktor dhe partner i zhvillimit të vendit tonë. Sipas të dhënave nga një grup pune i Bankës Botërore, rezulton se Shqipëria është e 30 në botë nga 172 shtete sa i përket peshës së remitancave në ekonomi. Por kontributi i diasporës nuk janë vetëm remitancat, por edhe kapitali njerëzor, profesional, arsimor, kulturor që shqiptarët jashtë vendit rrezatojnë dhe sjellin në atdhe”, theksoi Peleshi.
/rtsh.al/