Samiti i Ligës Arabe mbyll punimet, bën thirrje për dialog në Siri

Samiti i Ligës Arabe ka mbyllur punimet në Bagdad me thirrjen për dialog ndërmjet qeverisë së Sirisë dhe aktivistëve të opozitës, proces që “do tqi jepte fund konfliktit në vend”.
Udhëheqësit arabë, megjithatë, janë përmbajtur nga thirrja për presidentin sirian, Bashar al-Asad, që të japë dorëheqjen.
Ata kanë thënë se plani për paqe i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, duhet të zbatohet “menjëherë dhe me sukses”.
Plani, përveç të tjerash, bën thirrje për tërheqjen e trupave ushtarake dhe armëve të rënda, hyrjen në vend të grupeve të ndihmës, lirimin e të burgosurve politikë dhe lejimin e gazetarëve.
Asadi është zotuar se do të punojë për suksesin e planit, por jo “derisa të mos ndalojë mbështetja e huaj për opozitën siriane”.
Uashingtoni i ka përshkruar deklaratat e Asadit si dekurajuese.
Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që në mars të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9,000 persona, shumica nga ata civilë, kanë humbur jetën në një vit trazira.