Samiti i Procesit të Berlinit, Rama pret sot në Tiranë krerët e rajonit dhe komisionerin e BE! Kurti nuk do jetë i pranishëm

Kryeministri Edi Rama do të presë sot (17 korrik) në Tiranë krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhely, takim që zhvillohet në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri më 16 tetor.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar komisioneri BE-se Oliver Varheli, kryeministri i Malit të Zi, i Maqedonisë se Veriut, ajo e Serbisë, ndërsa duket se do të mungojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ndodhet në Greqi ku po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.
Fillimisht u raportua se Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga zv. Kryeministri, Besnik Bislimi, por zëdhësi i këtij të fundit bëri me dije se pjesëmarrja e tij “nuk ka qenë e planifikuar e aq më pak e konfirmuar”.
Çfarë është Procesi i Berlinit
Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Europian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
/rtsh.al/