E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Samiti i Vilniusit, 11-12 korrik/ NATO tregon ‘muskujt’ ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

NATO e ka kthyer Vilniusin në një kështjellë të mbrojtur nga armatime të avancuara për të garantuar siguri për presidentin e SHBA-ve, Joe Biden dhe liderët e tjerë të Aleancës që do të takohen javën e ardhshme vetëm 32 kilometra nga kufiri i Lituanisë me Bjellorusinë.

16 aleatë të NATO-s kanë dërguar një total prej rreth 1 mijë trupa për të garantuar sigurinë e samitit të 11-12 korrikut, i cili do të zhvillohet vetëm 151 kilometra nga Rusia.

Shumë prej tyre po ofrojnë gjithashtu sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore të cilat u mungojnë shteteve baltike.

“Do të ishte më se e papërgjegjshme të kishim qiellin tonë të pambrojtur pasi Biden dhe liderët e 40 vendeve po bëhen gati për samitin”, tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

Vendet baltike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë, dikur nën sundimin e Moskës, por pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që nga viti 2004, të gjitha shpenzojnë mbi 2% të ekonomive të tyre për mbrojtje, një pjesë më e madhe se shumica e aleatëve të tjerë të NATO-s.

Por për rajonin me një popullsi totale prej rreth 6 milionë banorësh, kjo nuk është e mjaftueshme për të mbështetur ushtritë e mëdha, për të investuar në avionët e tyre luftarakë ose në mbrojtje të avancuar ajrore.

Gjermania vendosi 12 automjete lëshues raketash Patriot. Spanja ka sjellë një sistem të mbrojtjes ajrore NASAMS, Franca po dërgon hovitzer vetëlëvizës Caesar, Finlanda dhe Danimarka po zbarkojnë avionët ushtarakë në Lituani, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po furnizojnë me anti-dronë.

Polonia dhe Gjermania dërguan forca të operacioneve speciale të përmirësuara me helikopterë. Të tjerët po dërgojnë masa për t’u marrë me çdo sulm të mundshëm kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor.

Për presidentin lituanez, përpjekja e aleatëve për të garantuar sigurinë ajrore gjatë samitit do të thotë që NATO duhet të krijojë urgjentisht mbrojtje të përhershme ajrore në shtetet baltike.

“Ne mendojmë se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të samitit dhe do të punojmë me aleatët për të krijuar një forcë për një mbrojtje të përhershme ajrore”, u tha ai gazetarëve.

Në fshatrat pranë kufirit me Bjellorusinë, vendasit janë shrehur se ndihen plotësisht të sigurt, pavarësisht deklartimeve të aleatit rus (Bjellorusisë) për të vendosur milicinë private të Rusisë Vagner dhe mbajtjen e saj të armëve bërthamore ruse.

“A mendoni se Vagner ose Bjellorusia mund të sulmojnë Lituaninë, e cila është në NATO? Ata nuk kanë guxim. NATO është NATO, dhe ne ndihemi të sigurt sepse jemi në NATO. Pse do të kishim frikë nga ata bjellorusë?”, shprehet për Reuters-in 67-vjeçari Edvard Rynkun, nga Kaniukai, një fshat 1 km larg Bjellorusisë.

“Nëse Lituania do të ishte vetëm, unë do të ndihesha ndryshe”, shtoi ai.

“Nëse nuk do të ishim të anëtarësuar në NATO, gjërat këtu mund të ishin tashmë të njëjta si në Ukrainë”, Elena Taraseviç.

Në aeroportin e Vilniusit, tetë lëshues raketash Patriot të drejtuar nga gjermanët u panë duke qëndruar me grykë të drejtuar në drejtim të Kaliningradit të Rusisë, dy të tjera drejtuar drejt Bjellorusisë. Të gjithë lëshuesit ishin funksionalë që nga mëngjesi i së premtes.

“Ju e dini se ku ndodheni gjeografikisht dhe e dini shumë mirë se nga vjen kërcënimi”, tha nënkoloneli Steffen Lieb, komandanti i dislokimit të Patriotit.

Lituania ka trefishuar vendosjen e rojeve kufitare në kufijtë e Bjellorusisë dhe Rusisë për verën, të shtuar nga oficerë nga Letonia dhe Polonia. Të dy vendet kanë dërguar gjithashtu policinë për të ndihmuar patrullimin e Vilnius.

Kontrollet kufitare në kufijtë e Bashkimit Evropian të Lituanisë me Poloninë dhe Letoninë do të jenë pjesë e diskutimeve të samitit.

Kryebashkiaku i Vilnius ka sugjeruar qytetarët që të shkojnë me pushime jashtë qytetit nëse duan të shmangin bllokimin, pasi pjesë të mëdha të qendrës së Vilnius do të jenë të mbyllura për samitin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›