Samiti në Alaskë, Putin shpreson për paqe në Ukrainë përmes “mirëkuptimit”. Trump nuk përmend armëpushimin: Do rishihemi shpejt!

Ka përfunduar me premisa të mira, por pa një marrëveshje konkrete dhe pa një dakordësi për armëpushim, takimi i shumëpritur SHBA–Rusi për sa i përket çështjes së luftës në Ukrainë.
Pas gati tri orësh bisedime, presidenti rus Vladimir Putin u ngrit i pari të premten nga tryeza me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Ai u shfaq në dalje krah zëdhënësit, ndërsa i dërguari special i presidentit për investimet e huaja dhe bashkëpunimet ekonomike, Kirill Dmitriev, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve se takimi vajti shumë mirë: “Mrekullisht, gjithçka shkoi mrekullisht.”
Në konferencën e përbashkët për shtyp, megjithëse në territor amerikan, Putin e mori fjalën i pari. Ai e vuri theksin te “atmosfera e respektit të përbashkët” me presidentin Trump.
“Patëm negociata shumë të hollësishme që ishin mjaft të dobishme,” u shpreh ai.
“Ne gjithmonë i kujtojmë shembujt e tjerë historike kur vendet i mposhtin bashkërisht armiqtë e përbashkët në frymën e betejës së respektit dhe aleancës, duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke e lehtësuar njëri-tjetrin. Jam i sigurt se kjo trashëgimi do të na ndihmojë tëkemi lidhje të barabarta dhe të mira në këtë fazë të re, edhe pse në kushte të vështira. [Raportet SHBA–Rusi] kanë rënë në pikën më të ulët qënga Lufta e Ftohtë,” deklaroi Putin.
Presidenti rus tha se ishte sinqerisht i interesuar për t’i dhënë fund konfliktit, por që të jetë afatgjatë, duhen eliminuar “shkaqet parësore të konfliktit” dhe të adresohet “konflikti legjitim” i Rusisë. “Edhe siguria e Ukrainës duhet siguruar. Natyrisht, ne jemi të përgatitur për të punuar për këtë,” u shpreh Putin.
Presidenti Trump në fjalën e tij theksoi se gjatë takimit pati shumë pika ku palët gjetën dakordësi. Ai e cilësoi takimin “shumë produktiv”.
“Ramë dakord mbi shumë pika të mëdha, por nuk kemi arritur ku duhet. Kemi bërë përparim. Nuk ka marrëveshje pa pasur marrëveshje,” tha Trump.
Siç kishte premtuar para takimit, presidenti amerikan tha se do të flasë me kreun e shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’i treguar se çfarë doli nga takimi.
“Do bëj disa telefonata dhe do u them se çfarë ndodhi. Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe në shumë pika u mirëkuptuam. Kanë mbetur disa të tjera. Disa nuk janë aq të rëndësishme, ndoshta njëra është më e rëndësishmja, por kemi një shans të mirë për të arritur aty,” deklaroi Trump.
Konferenca mes dy presidentëve në Alaskë qe e shkurtër si vetë takimi, i cili ishte thënë më herët se mund të zgjasë deri në shtatë orë. Takimi i fundit kokë më kokë mes dy liderëve ishte rreth gjashtë vite.
“Do flasim së shpejti dhe mbase do të shihemi shumë shpejt,” i tha Trump presidentit Putin.
“Herën tjetër në Moskë,” u përgjigj Putin duke buzëqeshur, duke marrë edhe një kundërreagim nga kryeshtetari amerikan: “Për këtë do të më bënin namin, por kushedi edhe mundet të ndodhë.“
/rtsh.al/