E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky: Të hënën takohem me Trump në Uashington. Mbështesim takimin trepalësh Ukrainë-SHBA-Rusi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump në Uashington të hënën (18 gusht).

Zyra e Zelensky konfirmoi se presidenti ukrainas kishte folur me Trump të shtunën në mëngjes gjatë fluturimit të presidentit amerikan për t’u kthyer nga Alaska, ndërsa tha se e kishte informuar për takimin me Putin dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre.

“Ukraina riafirmon gatishmërinë e saj për të punuar me përpjekje maksimale për të arritur paqen. Presidenti Trump informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre. Është e rëndësishme që forca e Amerikës të ketë ndikim në zhvillimin e situatës.

Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivel udhëheqësish dhe se një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë qëllim”, tha Zelensky në një deklaratë të shtunën, e para që nga takimi Trump-Putin në Alaskë.

“Të hënën, do të takohem me Presidentin Trump në Uashington, DC, për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, shtoi ai.

Presidenti Trump zhvilloi telefonata të gjata me liderët evropianë, të BE-së, NATO-s si dhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë kthimit nga takimi në Alaskë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë informoi liderët evropianë dhe Zelenskyn për diskutimet që zhvilloi me Putinin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›