E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Samiti në Lituani/ NATO tregon “muskujt”, shndërron kryeqytetin Vilnius në një “kështjellë”

NATO e ka kthyer Vilniusin në një “kështjellë” të mbrojtur nga armatime të avancuara, në pritje të samitit që do të zhvillohet në datat 11-12 korrik. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderë të tjerë të aleancës do takohen javën e ardhshme vetëm 32 km nga kufiri i Lituanisë me aleatinrus, Bjellorusinë.

Gjashtëmbëdhjetë aleatë të NATO-s kanë dërguar një total prej rreth 1,000 trupash, ndërsa shumë prej tyre po ofrojnë gjithashtu sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore të cilat u mungojnë shteteve baltike.

 “Do të ishte më se e papërgjegjshme të kishim qiellin tonë të pambrojtur pasi Biden dhe liderët e 40 vendeve po mbërrijnë,” tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

Vendet baltike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë, dikur nën sundimin e Moskës, por pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që nga viti 2004, të gjitha shpenzojnë mbi 2% të ekonomive të tyre për mbrojtje.

Por për rajonin me një popullsi totale prej rreth 6 milionë banorësh, kjo nuk është e mjaftueshme për të mbështetur ushtritë e mëdha, për të investuar në avionët e tyre luftarakë ose në mbrojtje të avancuar ajrore. Gjermania vendosi 12 automjete lëshues raketash Patriot, të përdorura për të kapur raketa balistike dhe lundruese ose avionë luftarakë.

Spanja ka sjellë një sistem të mbrojtjes ajrore NASAMS, Franca, Finlanda dhe Danimarka po dërgojnë avionët ushtarakë në Lituani, dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po furnizojnë me anti-drone.

Polonia dhe Gjermania dërguan forca të operacioneve speciale të përmirësuara me helikopterë. Të tjerët po dërgojnë masa për t’u marrë me çdo sulm të mundshëm kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor.

Në aeroportin e Vilniusit, tetë lëshues raketash Patriot janë vendosur me grykë të drejtuara drejt Kaliningradit të Rusisë. Dy të tjera drejtohen drejt Bjellorusisë.

Lituania ka trefishuar vendosjen e rojeve kufitare në kufijtë me Bjellorusinë./ Reuters

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›