Tepelenë, “Vjosa ime” – Festival për promovimin e kulturës dhe turizmit

“Vjosa ime”, një aktivitet dy ditor ka nisur në Tepelenë. Gjatë 48 orëve do të zhvillohen aktivitete, ku do të ndërthuren koncert me muzikë klasike, mbrëmje poetike, ekspozitë me libra, shfaqje teatri, panair me veshje të ndryshme popullore të krahinës, veshje të punuara me dorë, punime druri, metali, e më tej prodhime kulinarie tradicionale, bimësi medicinale etj.
Gjatë këtyre aktiviteteve do të organizohen edhe ture me një guidë profesionale në pika kryesore që përfshijnë site të trashëgimisë kulturore si Ujëvara e Peshturës, Uji ftohtë, në grykëderdhja e Drinos, ku lidhet me Vjosën, etj.
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e Bashkisë Tepelenë, do të realizohet edhe një koncert i pianistit e multiinstrumentistit Robert Bisha, i cili do të shoqërohet nga një bandë frymore. Koncerti “Home Neverland” do të mbahet në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, mbrëmjen e së dielës.
Në pedonalen buzë Vjosës në qytetin e Tepelenës do të zhvillohet “Këndi i librit”, një kënd i veçantë kushtuar poetëve dhe autorëve të njohur si Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Lirim Deda, Maliq Lila, Agim Shehu, Izet Cculli, Xhezo Canaj, Islam Kalemi etj.
Shumë nga poezitë e njohura të tyre dhe poezi të tjera do të interpretohen nga aktorët e mirënjohur Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Kristian Koroveshi në një mbrëmje peotike të organizuar me këtë rast.
/ rtsh.al /