Sanader-Topallit: Heqja e vizave, brenda vitit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë në Kroaci, një muaj para Samitit të NATO-s, i cili mbahet në prill. Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentarja shqiptare takoi personalitetet më të larta të vendit, Presidentin Stipe Mesiç, Kryeministrin Ivo Sanader, si dhe Kryetarin e Parlamentit kroat, Luka Bebiç. Gjatë takimit me Presidentin kroat, Topalli theksoi se vendi ynë është në krah të Kroacisë në proceset integruese. "Vetëm një muaj na ndan nga një ngjarje e jashtëzakonshme për të dyja vendet, anëtarësimi në NATO, dhe na vjen shumë mirë që Kroacia po ecën edhe drejt integrimit në BE. Ne e shohim integrimin e Kroacisë në BE jo vetëm si një progres tuajin, por edhe si një inkurajim për ne dhe vendet e tjera të rajonit", u shpreh Topalli. Kryeministri Sanader, gjatë takimit me Topallin, e ka cilësuar arritje historike për të dyja vendet Samitin e ardhshëm të NATO-s. Lidhur me çështjen e regjimit të vizave, Sanader konfirmoi se Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. "Kjo do të sillte jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkëmbimeve tregtare", tha ai.