E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: Afrimi me BE, qeveria të mos nxitohet. LSI: Zgjedhjet, në rrezik

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar dje pas deklarimeve të komisionerit evropian për zgjerimin, Olli Rehn. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, vlerësoi se nëse Shqipëria aplikon gjatë Presidencës Çeke për statusin e vendit kandidat, kërkesa e saj rrezikon të mbetet në sirtarët e Brukselit. "Askush nuk ka ndërmend që në një periudhë kaq të shkurtër ta konsiderojë aplikimin e Shqipërisë, kështu që kërkesa për aplikim mund të mbetët në sirtarët e Komisionit Evropian deri në një moment që Bashkimi Evropian të mendojë që mund të jetë moment i përshtatshëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë", tha Dade. Sipas saj, mesa duket, aktorët kryesorë të Bashkimit Evropian nuk e mendojnë momentin më të përshtatshëm dhe sigurisht në mënyrë të përsëritur komisioneri Oli Rehn ka deklaruar se Shqipëria duhet të përmbushë pikë së pari standardet politike. E pyetur për kohën kur vendi ynë mund të integrohet në organizmin më të lartë evropian, ish-ministrja e Jashtme e qeverisjes socialiste konstatoi se "nuk duhet t‘i marrim dëshirat për realitete, të gjithë do të dëshironim që tashmë Shqipëria të ishte anëtare me të drejta të plota, por, mesa duket, jemi ende larg plotësimit të standardeve". Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Petrit Vasilit, vlerësoi dje se zgjedhjet në Shqipëri kanë hyrë në një fazë shumë delikate lidhur me standardet dhe që ka të bëjë me kartat e identitetit e procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së tyre. "Qeveria shqiptare, sot ka shkelur të gjitha afatet që kanë të bëjnë me ngritjen e qendrave të aplikimit për kartat e identitetit në të gjithë territorin, duke shkelur qartë edhe afatet e marra përsipër publikisht", theksoi Vasili. Çdo thirrje e qytetarëve për aplikim, shtoi ai, është demagogji në një kohë që ajo nuk ngre qendrat e aplikimit, të cilat e pranon edhe vetë publikisht se nuk janë ngritur fare në shumë njësi vendore. "Edhe deklarata e fundit e zotit Olli Rehn demonstron shumë qartë dhe pa asnjë ekuivok se vetëm realizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas standardeve do të jenë guri i provës për të ardhmen e Shqipërisë dhe vetëm pas realizimit me sukses të tyre mund të flitet edhe për aplikimin e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian e të tjera çështje të mbetura pezull", nënvizoi Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›