E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sander Lleshi, këshilltari i Edi Ramës për mbrojtjen

Ish- zëvendësi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, por edhe ish-kandidat për President vetëm një vit më parë, Gjeneral brigade Sandër Lleshi do të jetë keshilltari për mbrojtjen i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë Kryesocialisti në rrjetin social facebook, ku jep dhe detaje rreth njohjes me të dhe përfshirjes së Lleshit në radhët e PS.

Emrin e Sandër Lleshit e kam dëguar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht. Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri shkruan Rama .

Gjeneral Sandër Lleshi është një ushtarak karriere që ka mbajtur postin e lartë të zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe ka një kurrikulum të pasur kualifikimi në disa vende perëndimore. Më parë ai ka qenë edhe drejtues i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcave të Armatosura, atashe i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›