E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandri, në telashe të reja me kuzhinën e KlanitNga Antena brenda familjesPasi u mor vesh se kuzhinierja e TV Klanit kishte raportuar te Sandri, dje kafja dhe kuzhina ishin bosh gjithë ditën. Nuk hynte dhe nuk dilte askush. Kjo ishte e pazakontë për k

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sandri, në telashe të reja me kuzhinën e KlanitNga Antena brenda familjes

Pasi u mor vesh se kuzhinierja e TV Klanit kishte raportuar te Sandri, dje kafja dhe kuzhina ishin bosh gjithë ditën. Nuk hynte dhe nuk dilte askush. Kjo ishte e pazakontë për kuzhinieren, e cila si çdo ditë bën gati drekën për personelin kryesor që ha aty, dhe xhiron e zakonshme të bufesë.

E shqetësuar, ajo trokiti në derën e Sandrit afër drekës.

- Sandri, të keqen, ç’ka ndodhur? - i tha. - Nuk ka këmbë njeriu në lokal. As ato çupat që ishin dje, po asnjë fare. Vetëm Fevziu erdhi, futi kokën qëparë, pyeti për dikë dhe doli shpejt, se pa një roje që po hante qepë. Nuk e duron dot qepën ai të keqen nëna.

- Lëre me Fevzon me gjithë qepë, se na çave trapin. Po ç’ka ndodh? Pse nuk ka njeri?

- Nuk e di të keqen, mos e kanë marr vesh që erdha të kallëzova ty. Unë e bëra se të kam timin, po mos të ka shkarë goja gjëkundi ty?

- Goja, unë ua q… robt ku i kanë, pse mua do më bëjnë p... ato kurvat. Unë i mbaj me lek, ato më çajnë trapin.

- Të keqen Sandri, se mos u ke thënë që të tregova unë, se më bën me llafe kot. Unë për të mirën tënde e kisha.

- Lëre moj, kush çan trapin për to, po shiko ku kanë shkuar, se në punë nuk janë, te ty nuk janë. Ku janë këta njerëz? Unë e bëra kuzhinën që të mos harxhojnë lekët jashtë, t’i qarkullojmë brenda përbrenda. Pa po të jetë se këta marrin lekët e mia dhe i prishin jashtë, unë u ul rrogat.

- Nuk e di të keqen nëna, po ai lokali që ka hap ky i Ora News-it ishte plot qëparë, kam frikë se kanë shkuar aty.

Sandri i tërbuar nga kjo, e lë kuzhinieren në tavolinë, del jashtë, thërret rojën dhe fillon të ulërijë.

- Dëgjo, do shkosh tek ai lokali i Ora News-it, do marrësh një bllok shënimesh dhe do mbash shënim kush ha drekë aty nga TV Klani. Do ma biesh mua listën për dhjetë minuta.

- Si urdhëron, - i tha roja.

Pas dhjetë minutash, roja u kthye.

- Shefo, qe ku e ke listën. S’kishte më vend fleta me shënu. Gjithë Klani aty ishte.

Kishte bo ca bifteqe të mira ai, dhe ishin lirë vallahi. Ene unë porosita një, po jam në punë ene do ta ha mbasandaj.

- Ashtu ë? Ore, çfarë b..q.. jeni ju? Unë ju jap rrogë, ju ia çoni paratë Yllit të Ora News-it. Ore, ju duheni zhdukur nga faqja e dheut, ju duheni rrahur tri herë dita mo burrë. Ore, ç’është kjo që bëni një herë? Dhe ai shkërdhata po tregohet i pabesë. Se unë vërtet u tërhoqa dhe nuk ndërtova në rrugë, por nuk e lashë që ai të më konkurrojë dhe te mensa.

- Ça të them unë shefo?! Meqë the ti, unë s’po e marr biftekun tim, po ama gjithë Klani aty ishte. Vetëm Fevziu nuk ishte shefo. Tha ajo gruja: “Erdhi, zgjati kokën, dhe iku.”

- Po jo mo, se nuk shkon Fevziu në mejhane, po këto shkërdhatat e tjerë që rrinë kot gjithë ditën. Mirë, mirë, më lër vetëm.

Filloi t’i hedhë një sy listës. Të gjithë gazetarët dhe teknikët e Klanit qenkëshin atje. Brenda ditës nuk i hiqte dot, se mbetej pa punë. S’dinte ç’të bënte. Mori në telefon Policinë Tatimore.

- Alo figurë, Sandri jam.

- Si je shef Sandri? - i tha zëri nga ana tjetër.

- Dëgjo se është shumë skandal, se kam folur dhe me doktorin. Ai po përpiqet të mbledhë taksa në çdo vend, këtu punohet pa taksa në mes të ditës. Shiko se s’dua të bëhem dhe spiun, por u bëj telefon, se ma dha porosi doktori. Shiko se më vjen dhe pak zor, por ju duhet të bëni detyrën, s’ka zor kur shkelen ligjet e shtetit. Shiko, ky i Ora News-it, këtu në Kinostudio, e dini ju ku ka qenë Kinostudio apo jo? Këtu ku kam bërë unë këto tri-katër ndërtesat e reja të TV Klanit, pra e gjeni apo jo? Po. Dëgjo tani, kur të hyni këtu brenda, mos kaloni këtej nga pjesa e Klanit, por do pyesni ku është Ora News dhe pastaj aty do pyesni ku është lokali. Aty vëllai bëhet nami. Çdo ditë rreth 100 vetë nga të mitë dhe nja 60 nga të Ora News-it pinë kafe, hanë drekë dhe më duket nuk paguajnë tatime. Eja një herë vëllai se këtu bëhet nami. Unë fola dhe me doktorin, do t’u thotë dhe ai vetë, po ju ejani njëherë, që kur t’u marrë ai, ta keni bërë punën.

- Erdhëm shef. Për 5 minuta jemi aty.

Pas 5 minutash Sandrin e merr prapë kuzhinierja e TV Klanit.

- Shefo, kanë ardh këta të tatimeve dhe po vënë ca shirita, dhe kanë ardh këta të policisë private po zihen me këta të tatimeve. Të dy palët thonë që kemi urdhër nga Sandri.

- Po ç’janë këta k… moj aman. Unë u them shkoni te lokali i Yllit, ata vijnë tek imi. E ç’më gjeti me këta. Le se e zgjidh vetë këtë punë. Po nuk i bëre vetë këto gjëra, të ngatërrojnë më keq.

Pas pak Sandri doli jashtë, qetësoi policët e vet, që ishin duke rrahur Policinë Tatimore dhe pas një konsulte të shkurtër i udhëhoqi ata te lokali tjetër, ku po hanin drekë gjithë gazetarët e Klanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›