E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanie Rexha largohet nga PDK-ja

Njëra nga themelueset e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë dhe këshilltare e kësaj partie për dy mandate radhazi në Asamblenë Komunale të Klinës, Sanie Rexha ka bërë të ditur largimin nga PDK-ja.

Nëpërmes një deklarate për media, Rexha, e veja e dëshmorit Abedin Rexha - Sandokani, ka thënë se e merr këtë hap në shenjë solidariteti me dorëheqjen e ish-kryetarit të degës së kësaj partie në Prizren Zafir Berisha dhe për shkak, siç shprehet, zhgënjimit me rrjedhat jodemokratike brenda PDK-së.

“Si veprimtare e hershme e ilegales dhe ushtare e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas luftës njëra nga themelueset e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë dhe delegate e kësaj partie për dy mandate rresht në Asamblenë Komunale të Klinës, unë - Sanie Rexha përmes kësaj deklarate publike solidarizohem me dorëheqjen e ish kryetarit të degës së PDK-s në Prizren, Zafir Berisha dhe të disa nëndegëve të kësaj partie, të cilët në mënyrë të ndershme e mbrojtën votën e nëpërkëmbur të shumicës së elektoratit prizrenas nga kryetari i komunës dhe nivelet qendrore të PDK-së. Prandaj, duke qenë e zhgënjyer me rrjedhat jodemokratike që po zhvillohen prej kohësh në këtë parti, përfundimisht edhe unë largohem nga Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Sanie Rexhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›