Sannino-Topallit: Shqipëria të vijojë me ritmin e reformave

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino ka kërkuar nga të gjitha palët politike impenjim unanim dhe vullnet politik për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Sipas faqes zyrtare të Kuvendit, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Sannino ka theksuar se Shqipëria duhet të vijojë me ritmin e reformave
“Në parlament ka zhvillime pozitive, siç janë votimi i disa prej ligjeve me 3/5-tat, nisja e punës për reformën zgjedhore, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Ne ndjekim me vëmendje ecurinë e këtyre zhvillimeve, duke shpresuar që dialogu të jetë i qendrueshëm” ka shtuar më tej Sannino.
Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se Parlamenti ka zbatuar dhe do të zbatojmë vetëm ligjin, Rregulloren dhe Kushtetutën.
“Si Kryetare e Kuvendit ndihem mirë që në nëntor opozita iu bashkua mazhorancës në një marrëveshje për votimin e ligjeve me 3/5-tat si dhe për Reformën zgjedhore. Presim që opozita t’i qëndrojë marrëveshjes së nëntorit” ka shtuar më tej Topalli.
Në takimin mes kryetares së Kuvendit Topalli dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino, merrte pjesë edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.