E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanino ne Tirane Berisha Angazhim per permbylljen e reformave te integrimit

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian nisi vizitën e tij njëditore në Tiranë me takimin me kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare ka vlerësuar angazhimin dhe ndihmën e Komisionit Europian që i jep Shqipërisë për çuarjen përpara të reformave të nevojshme për integrimin evropian. Në përgjigje të interesit të zotit Sanino për vazhdimësinë e këtyre reformave, kryeministri Berisha e siguroi atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit.

Berisha-Saninos: Kandidatura e Mazhorancës për President përmbush kriteret
Përsa i takon procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kreu i qeverisë shqiptare theksoi, se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Kryeministri Berisha shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës, që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik.

Takimi Sanino-Rama
Pas takimit me kryeministrin Berisha, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino, ka zhvilluar në selinë një takim të veçantë edhe me kryesocialistin Edi Rama. Biseda është përqendruar ne procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit shqiptar. Gjithashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe në lidhje me reformat legjislative, në mënyrë të veçantë ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe rishikimin e Rregullores së Parlamentit.

Meta-Sanino: Zgjedhja e Presidentit, opozita të japë emra
Zyrtari i lartë europian, është takuar në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me kreun e kësaj force politike, Ilir Meta. Edhe në këtë takim, zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, ka qenë në qendër të diskutimeve, ku emri i kreut të ri të shtetit duhet të dalë pas një procesi të gjerë konsultimesh. Madje, në këtë kontekst, kreu Meta bëri me dije se gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin u diskutua dhe me faktin se opozita duhet të japë emrat e saj për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë që sipas Metës, kandidatura konsensuale e mazhorancës plotëson kriteret për konsensus, për vetë faktin se emri gjeti mbështetje të gjerë. Po ashtu, zoti Saninno dhe kreu I LSI-së zoti Meta, mësohet se kanë biseduar edhe mbi ecurinë e përmbushjes së 12 rekomandimeve që Komisioni Europian, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat.

Takimi Sanino-Bregu për ecurinë e plan-veprimit të integrimit
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu priti sot në zyrën e saj Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, z. Stefano Sannino. Në takim u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit për adresimin e 12 prioriteve të Opinionit të Komisionit Europian, për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, raportin mujor të Shqipërisë mbi zbatimin e Planit të Veprimit dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm konsultativ me Komisionin Europian lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit.

Haxhinasto-Sanino: Procesi i integrimit të jetë gjithëpërfshirës
Drejtori i Zgjerimit Stefano Sanino, është takuar më pas edhe me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto. Në takim u dhanë mesazhe të qarta se procesi i integrimit duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, dhe që palët të dalin mbi interesat partiake. Theksi u vu tek ecja përpara e reformave të nisura, të cilat janë të domosdoshme me qëllim që klima pozitive e krijuar pas Këshillit të Stabilizim Asociimit më 15 maj të kapitalizohet me marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

Sanino takon kryebashkiakun Basha
Gjatë qendrimit në Tiranë, zyrtari i lartë nga Brukseli ka zhvilluar një takim edhe me kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha, me të cilin mësohet se ka diskutuar mbi projektet për zhvillimin e kryeqytetit.

Takimet e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, me krerët e lartë të shtetit dhe partive politike, zhvillohet një ditë para mbajtjes së raundit të tretë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›