Saraçini: “Njëherë i hiqni ju, pastaj i heqim ne”

Kufiri mes Maqedonisë dhe Kosovës akoma mbetet i bllokuar tërësisht. Qytetarët kosovarë paguajnë taksa për të hyrë në shtetin fqinj, dhe atë mund ta bëjnë vetëm në këmbë. Kjo për arsye se dy kamionët e kompanisë private Makamtrans e kanë bllokuar rrugën që shpie në Shkup, e autoritetet maqedonase nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ti larguar.
Edhe përkundër këtij fakti, ministri maqedonas i ekonomisë, që vjen nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Valon Saraçini, në një intervistë ka akuzuar autoritetet kosovare për gjendjen e krijuar, duke thënë se “vendimit të kushtëzuar për ndalesën e importit të miellit në Maqedoni, pala kosovare ka pasë afat kohor prej 36 orësh ti përgjigjet”, në mënyrë që të gjendet formula më e mirë për dy palët, mirëpo sipas Saraçinit, pala kosovare këtë afat e ka shpërfillur.
Masat e kushtëzuara nënkuptojnë që, për 3 kilogramë miell që Kosova duhet ti importojë nga Maqedonia, shteti kosovar do të lejohet të importojë 1 kilogram miell në Maqedoni.
“Ne kemi marrë një vendim. Këtu kemi paraprë një nen që thotë se në momentin kur pala kosovare tërheq masat, ky vendim më nuk vlen”, tha Saraçini, që aludon se autoritetet kosovare duhet të heqin të gjitha barierat fillimisht, ashtu që pala maqedonase të largojë taksat për shtetasit Kosovar.
“Pala kosovare e ka ditur që masa do të kalojë më 15 shtator. Nuk e di pse 8 ditë para skadimit të afatit, Kosova vendosi që të vendosë bllokadë”, pyeti Saraçini.
“Më 22 korrik është mbajtur takimi i jashtëzakonshëm i CEFTA dhe i është dhënë afat deri më 2 shtator maqedonisë që ti heq barierat e importit të miellit dhe grurit. Përkundër këtij vendimi Maqedonia prap nuk e hoqi masën dhe prandaj ne reaguam. Askush nuk arriti ta konfirmojë nga pala maqedonase se masa do të hiqet me 15 shtator andaj për këtë arsye ne reaguam”, i përgjigjet zëvendës kryeministreja e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, ministrit të ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçinit.
Nga Maqedonia, gjatë tre viteve të fundit mallra në vlerë prej më shumë se 1 milliardë dollarë janë importuar ndërsa nga Kosova janë eksportuar jo më shumë se 7 milion. /Indeksonline/