E Hënë, 2 Nëntor 2026

Saranda dhe Ksamili, çdo ditë si fundjavë. Plazhet publike “tejmbushen” nga pushues vendas dhe të huaj

Në ditët e para të gushtit, plazhet publike në Sarandë dhe Ksamil janë më të frekuentuarat falë aksesit të lirë dhe respektimit të hapësirave të dedikuara për qytetarët nga bizneset vendase.

Në Sarandë, përgjatë shëtitores, të gjitha plazhet funksionojnë si plazhe publike, ndërsa për herë të parë këtë vit edhe në Ksamil është siguruar akses i lirë për qytetarët në hapësirat publike të plazheve. Kjo falë respektimit nga ana e bizneseve të sektorit të turizmit ndaj ndarjes zyrtare të përcaktuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke i lënë të paprekura zonat e dedikuara për publikun, madje me çadrat e tyre.

Në plazhin e Centralit në Sarandë, ky ndryshim është më i dukshëm edhe për emigrantin Robert Gjeçi, i ardhur nga Anglia. Ai shprehet se vite më parë nuk kishte mundësi të vendoste çadrën e tij në këtë plazh, ndryshe nga sot.

“Sivjet e shikoj më mirë Sarandën nga vitet e mëparshme, kur vinim këtu dhe as çadrën tonë nuk e shtrinim dot. Jemi munduar gjithmonë t’i sjellim emigrantët, qoftë edhe unë nga Londra, ta lënë lekun këtu dhe jo në vende të botës,” thotë z. Gjeçi.

Saranda dhe Ksamili këto ditë gushti janë të “pushtuara” nga prurje turistike në qytet, në plazhe dhe në të gjitha pikat turistike. Sezoni është në kulmin e vet dhe çdo ditë zhvillohet me ritëm të lartë, me lëvizje të pandërprerë e shumëllojshmëri aktivitetesh sikur çdo ditë të ishte fundjavë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›