E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda përgatitet për verën, kroçiera e parë me mbi 2 mijë turistë rrit pritshmëritë për turizmin

Saranda dhe Ksamil kanë hyrë në ritmin e përgatitjeve për sezonin e ri turistik që në fillim të pranverës.

Qyteti bregdetar po gjallërohet dita-ditës, ndërsa institucionet dhe bizneset po punojnë për të qenë gati për fluksin e vizitorëve.

Sipas përfaqësuesve të bashkisë, sektori privat është në fazën e fundit të restaurimeve dhe përmirësimeve.

Ndërkohë, në Sarandë ka mbërritur edhe kroçera e parë e këtij sezoni, duke sjellë më shumë se 2000 vizitorë.

Drejtore kabineti, bashkia Sarandë, Eliana Shkurti u shpreh se, “Punimet vazhdojnë dhe në sektorin privat , ku tani bëjnë restaurimet e fundit për mikpritjen e këtij sezoni.  Dua  të them që jemi të lumtur që kishim dhe kroçeren e parë në qytet e cila solli rreth 2600 turistë të huaj , të cilët patën mundësi të vizitonin qytetin. Shpresojmë që ky do të jetë një fillim i mbarë dhe për sezonin turistik“

Ky është një sinjal i qartë se sezoni turistik ka nisur me ritme të shpejta dhe me interes të lartë nga turistët e huaj.

Kërkesat dhe rezervimet janë në rritje të ndjeshme, ndërsa pritshmëritë për sezonin e ri janë shumë pozitive.

Operatorët turistikë shprehen optimistë se ky vit do të jetë një nga më të suksesshmit për turizmin në këtë zonë.

Gazetare: B. Pëllumbi 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›