E Martë, 3 Nëntor 2026

Sarandë/ Arrestohet zyrtari i Urbanistikës, SPAK: Kërkoi 12 mijë euro për një leje shfrytëzimi plazhi

Një zyrtar i Urbanistikës në Sarandë dhe një inspektor i IKMT-së, janë arrestuar me kërkesë të SPAK, të akuzuar për korrupsion. Nëpërmjet një njoftimi, SPAK bën me dije se zyrtari i Urbanistikës, me inicialet A. B., i ka kërkuar 12 mijë euro dy personave për një leje shfrytëzimi në plazh.

Personat me inicialet S. D. dhe F. D. janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku kishin ndërtuar një objekt. Punonjësi i Urbanistikës u ka kërkuar 12 mijë Euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit.

Në muajin Korrik të vitit 2021 ai ju ka marrë shumën prej 6 mijë Euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe shtetasi A. B. ia ka kthyer shumën monetare.

Gjithashtu hetimet treguan se dy shtetasit F. D. dhe S. D. kanë patur probleme edhe në lidhje me një objekt të ndërtuar nga ata në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit.

Gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019 subjekti është proceduar me masë administrative. Ndërkohë, në muajin mars të vitit 2020 shtetasi inspektori i IKMT-së me inicialet J. P. i ka kërkuar shtetasit F. D. shumën monetare 7.500 Euro, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil, por pasi kanë negociuar ai i ka dhënë shtetasit J. P. shumën prej 3000 Euro dhe nuk i është prishur objekti në vitin 2020 edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT që prej muajit Shtator të vitit 2019.

Nga dokumentacion i administruar nga IKMT rezulton se objekti i shtetasit F. D. është prishur vetëm në datën 07.06.2021.

Zyrtari i Urbanistikës akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa inspektori i IKMT akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›