E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sarandë, fshati Metoq, 30 vite pa ujë

Prej vitesh banorët e fshatit Metoq në bashkinë e Sarandës, përballen me problemin e mungesës së ujit të pijshëm. Gjatë stinës së verës në këtë fshat, situata është më problematike por edhe gjatë kësaj periudhe, banorët ngelen pa ujë shumicën e rasteve. Por veç mungesës së tij, ata duket se kanë problem edhe ndotjen e ujit pasi për mikrofonin e Rtsh-Gjirokastra, thonë se detyrohen që ta ziejnë atë para se ta përdorin për nevojat vetiake. 

 “Me ujin ka shumë probleme. Gjatë kohës së verës vjen gjysëm ore ujë në 24 orë. Është shumë problem, jetohet pa ujë? Nuk jetohet. Çfarë të bëjmë, nga e keqja, ujin më shumë e mbushim dhe e marrim me krahë andej nga ujët e Bistricës dhe e sjellim me krahë nga andej këtu, skemi çfarë të bëjmë”, shprehet një banor.

“Unë jam e ardhur këtu, kam ardhur që në 61-shin, që kur kam ardhur ka egzistuar ky problem. Një orë ujë kemi, nuk mjafton, na vështirëson shumë por çfarë të bëjmë, e shikon depozitën nga ajo marr një orë ujë nëse e proftas, nëse jo s’kam ç’bëj. Kemi frikë dhe e zjejmë ujin që të bëjmë gjellën”, tregon një nënë e moshuar.  

“Ujë nuk kemi, unë e marr e zjej ujin, burri im vete e merr me krahë nëpër burimet e fshatit, e zjejmë ujin por prapë nuk kemi mundësi edhe ta zjejm dita me ditë, nuk jetohet pa ujë”, shprehet një banore. 

Fshati Metoq ndodhet vetëm 5 km larg qendrës së Sarandës e në të jetojnë tashmë më shumë se 200 banorë. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›