E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarande perurohet Komisariati i Kufirit dhe Migracionit

Përurohet në Sarandë ndërtimi i Komisariatit të Kufirit dhe Migracionit falë një investimi prej 282.659 euro nga BE në kuadër të Programit IPA 2009 “Menaxhimi i Kufirit Blu”.

Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj u shpreh se kjo ndërtesë e re dhe moderne do të mundësojë që punonjësit e shërbimeve të kufirit për Sarandën të kenë në dispozicion ambiente cilësore, që përmirësojnë kushtet e punës e të shërbimit, duke u shërbyer kështu në mënyrë më cilësore dhe qytetarëve. Ai vuri në dukje asistencën e vazhdueshme të Bashkimit Europian për Policinë e Shtetit, duke e vlerësuar atë edhe si një nxitje të fuqishme për reformimin e Policisë së Shtetit dhe shndërrimin e saj në një partnere të denjë të organizatave homologe.
“Kontributet e Bashkimit Evropian për Policinë e Shtetit as kanë filluar dhe as përfundojnë sot. Ndër vite, organizata jonë ka përfituar e vazhdon të përfitojë ndihma të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij përfaqësuese në Shqipëri. Ndihmat e donacionet e afruara nga Bashkimi Evropian kanë ndikuar në mënyrë të dukshme për përmirësimin e standardeve të punës së Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit, parandalimin e trafiqeve të paligjshme, rritjen e sigurisë për jetën, shëndetin e pronën e qytetarëve, përmirësimin në rritje të performancës së strukturave policore, zhvillimin në përgjithësi të organizatës sonë “- theksoi Burgaj, i cili vlerësoi përkrahjen dhe nxitjen për reformimin e Policisë së Shtetit, si edhe shprehu vendosmërinë në rrugën e reformimit të vazhdueshëm.
Nga ana e tij Këshilltari i parë i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Z. Jochen Schult gjatë fjalës së tij u ndal tek ndihma prej 30 milionë euro e Bashkimit Europian për përmirësimin e menaxhimit të kufirit, dhe rëndësia e tyre në përafrimin e kushteve dhe metodave të punës së këtyre strukturave me standarded e BE-së.

“Menaxhimi i kufirit është mjaft i rëndësishëm në forcimin e zbatimit të ligjit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. BE-ja ka ofruar një mbështetje të madhe për Shqipërinë në këtë proces, përmes përmirësimit të infrastrukturës, si dhe në drejtim të burimeve njerëzore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kontekst, vlen të evidentohet fakti që ne kemi vënë re me kënaqësi se Policia Kufitare dhe e Migracionit gjatë viteve të fundit është shndërruar në një departament me metoda pune bashkëkohore, të cilat janë tashmë shumë më afër standardeve të BE-së.” – u shpreh Z. Schult.

Duke iu drejtuar punonjësve të policisë që do të punojnë në këtë komisariat të sapondërtuar, Schult vlerësoi arritjet e Policisë së Shtetit veçanërisht në luftën kundër trafikut të drogës:

“Lufta ndaj krimit të organizuar është një ndër 12 prioritetet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, por kjo luftë sjell gjithashtu dhe disa rreziqe ndaj të cilave ju mund të jeni të ekspozuar. Së fundmi jam njohur me mjaft histori suksesi mbi luftën tuaj kundër trafikut të drogës: Në mënyrë të veçantë në 2012, ju rritët në mënyrë të ndjeshme sasinë e drogave të sekuestruara, me ndihmën e pajisjeve të financuara nga BE”-u shpreh Z. Schult, i cili theksoi se delegacioni i BE-së po përgatit projektin e parashikuar 6 milionë euro në kuadër të programit IPA 2012 për të ëprafruar standardet e BE.

Ndërkohë Ambasadorja Gjermane, Zj. Carola Muller Holtkemeper, gjatë fjalës së saj theksoi se kufijtë e Shqipërisë tashmë kanë një kuptim tjetër, ata nuk shërbejnë më për të izoluar shtetasit shqiptarë dhe të huaj, por shërbejnë për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.
“Policia e Kufirit dhe Migracionit ka ecur përpara për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe ky është një vlerësim i bërë dhe nga ekspertët”- u shpreh ajo, e cila shtoi se komisariati i sapondërtuar do të shërbejë në forcimin e luftës kundër trafiqeve të paligjshme. Tashmë, tha ajo, që Shqipëria gjeografikisht bën pjesë në Europë, po afrohet dhe me institucione me vendet e BE-së.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Sarandë Stefan Çipa, si dhe përfaqësues të tjerë nga trupi diplomatik akredituar në Tiranë, nga institucione të ndryshme të zbatimit të ligjit, si edhe të ftuar të veçantë ishin fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›