Londer 2012 parashikimi i medaljeve

Duket se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rimarrin lavdinë olimpike. Vetëm katër vjet pasi Kinja u bë vendi I parë që prej vitit 1992 që fitonte më shumë medalje të arta se SHBA-ja, “The Wall Street Journal” ka publikuar një parashikim për tabelën e medaljeve që tregon se amerikanët do të kthehen dominues në evenimentin më të rëndësishëm sportiv.
Për të pestin edicion të Lojërave Olimpike, skuadra amerikane pritet të kryesojë tabelën e përgjithshme të medaljeve të fituara. Parashikimi i gazetës prestigjoze amerikane, është bazuar në përllogaritjen e shanseve të atletëve sipas paraqitjeve të tyre të fundit në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe intervista me ekspertë.
Sipas metodës së përdorur nuk jepen fituesi i garave, sportisti që renditet i dyti, apo vendi i tretë, por ky model thjesht përcakton shanset për pretendentët për medalje dhe më pas përdor probalitetet për rezultatet më të mundshme.
Sipas “The Wall Street Journal” skuadra amerikane që ka në përbërje 530 sportistë pritet të fitojë 40 medalje ari në “Londër 2012”, ndërsa në total numri i medaljeve parashikohet të jetë 108. Në anën tjetër, Kina mund të fitojë 38 medalje ari, në një total prej 92 medaljesh gjithsej.
Rusia pritet të jetë në shkallën më të ulët të podiumit me 83 medalje në total, nga të cilat 29 të arta. “Top 10” parashikohet të plotësohet nga Britania e Madhe me 66 medalje të përgjithshme, Gjermania 49, Australia 42, Japonia 39, Franca 31, Italia 30 dhe Korea 24. Xhamajka e Usain Bolt dhe e mirënjohur për garat e shpëjtësisë në atletikë pritet të fitojë 12 medalje, 4 nga të cilat pritet të jenë të arta, aspak keq për një vend me 2.9 milionë banorë.
Jashtë parashikimit të “The Wall Street Journal” nuk ka mbetur as Shqipëria. Sipas gazdeës, delegacioni kuqezi ka shanse të mira të kthehet me një medalje nga Lojërat Olimpike, ndërsa ajo mund të jetë argjend ose bronz. Sipas përllogaritjes nuk specifikohet fituesi apo sporti, por të gjithë e kanë të qartë se shanset më të mëdha janë në peshëngritje dhe në xhudo.