E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron: Britaninë e presin vite të vështira

Kryeministri britanik tregoi hapur gjendjen e vështirë financiare që po kalon vendi

Britania e Madhe do të përballet me vite të tëra sakrificash. Ekonomia e vendit është në një gjendje më të vështirë se sa mendohej dhe shkurtimet, kur të mbërrijnë, do të jenë të dhimbshme. Alarmin e dha David Cameron, Kryeministri i sapozgjedhur i Britanisë së Madhe. Kreu konservator, në një intervistë të dhënë për “Sunday Times”, e vuri theksin dhe nënvizoi me forcë faktin e borxhit të madh publik me të cilën përballet ekonomia e vendit. “Nëse nuk bëjmë diçka do të përfundojmë duke paguar interesat për borxhe 50, 60, 70 miliardë sterlina. Këto shifra janë çmenduri, më shumë se sa harxhojmë për edukimin e fëmijëve tanë apo për mbrojtjen e kombit”, u shpreh Cameron. Po ashtu, ai hodhi poshtë pretendimet për rritjen ekonomike prej 3 përqindësh në vitin 2011, të hartuar nga qeveria laburiste. “Nuk do të ketë asnjë trampolinë për të rimarrë veten, ndaj nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të përballojmë llogaritë e shtetit social, të sektorit publik dhe dimensionin e burokracisë të akumuluar gjatë këtyre viteve”, tha ai. “Cilësia e një burri të mirë shteti qëndron në faktin e marrjes së vendimeve dhe përgjegjësisë për t’u shpjeguar njerëzve objektivat që fshihen pas sakrificave. Një borxh i madh duhet administruar mirë. Kryqëzimi i gishtave dhe pritja që gjithçka të kthehet vetë në vendin e mëparshëm nuk është zgjidhje”, u shpreh Cameron. “Vendi është në rrezik dhe pikërisht këto rreziqe do të marrin atë që mund të ishte përdorur për të bërë të tjera gjëra. Duhet të kemi njerëzit në anën tonë në këtë udhëtim të vështirë që duhet të ndërmarrim”, vazhdoi më tej lideri i konservatorëve. Sipas të dhënave të dala nga Instituti i Statistikave Kombëtare në Britani, borxhi publik ka arritur në shifrën 156,1 miliardë sterlina në vitin 2009/2010, e barabartë kjo me 11,1% të GDP-së, një e dhënë vërtet rekord. Po në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministri Nick Clegg, lideri i liberaldemokratëve, ka lëshuar të tjera sinjale. Nuk do të ketë masa drastike aq të egra sa në kohën e Thatcher. Në bisedën e tij me një të përditshme angleze, Clegg u duk që ishte më optimist se Cameron për gjërat. “Përgjegjësi më e madhe për shpenzimet nuk do të thotë rikthim në vitet ‘80. Ne do t’i bëjmë gjërat ndryshe dhe nuk do të lejojmë rikthimin e diferencave mes veriut dhe jugut të vendit”. Clegg kujtoi gjithashtu se disa prej paketave të reduktimit të shpenzimeve publike më rigoroze janë çuar përpara këto kohët e fundit nga qeveri të “qendrës së majtë”, si socialdemokratët në Zvicër dhe liberalët në Kanada. Ndoshta gjendja e vështirë ekonomike është një nga arsyet që e ka bërë Cameron-in dhe kabinetin e tij të heqë dorë nga lukset e tepruara. Shkurtimi i shpenzimeve është objektivi kryesor. Linja më e re e qeverisjes britanike ishte lënia në garazh e limuzinave dhe makinave që ata kishin në dispozicion, për të ecur në këmbë si njerëzit e zakonshëm dhe për të shkurtuar disi harxhimet e kota. Clegg dhe Cameron premtuan një mënyrë të re të të bërit politikë, dhe të gjithë presin të shohin nëse do të arrijnë t’ia dalin mbanë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›