E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti shpëton gjyqin e Gërdecit

Kreu i shtetit rrëzon propozimin e KLD-së për transferimin e Ridvan Hados në Gjykatën e Apelit të Tiranës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka refuzuar të transferojë në Gjykatën e Apelit në Tiranë kryegjyqtarin e “Gërdecit”, Ridvan Hado, duke shpëtuar kështu një nga proceset më të bujshme të drejtësisë shqiptare. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i propozoi kreut të shtetit dekretimin për ngritje në detyrë të gjyqtarit Hado, pasi ishte dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale, si dhe është vlerësuar “shumë mirë” në dy vitet e fundit. Propozimi i është drejtuar Topit në datën 7 maj dhe sipas ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Presidenti, brenda 30 ditëve, duhet të nxirrte dekret për emërimin në detyrën e gjyqtarit të kandidatit të propozuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ligji thotë se “pas këtij afati, propozimi vlerësohet i rrëzuar”. Për rastin konkret, propozimi i KLD-së ka mbi 30 ditë që është kryer dhe për pasojë kandidatura e Ridvan Hados si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë është rrëzuar.

Propozimi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 7 maj 2010, me votim të hapur, vendosi të plotësojë vendet vakante të shpallura në Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Në Gjykatën e Apelit Tiranë u shqyrtuan 87 kandidaturat e shqyrtuara. Pas shqyrtimit i janë dërguar Presidentit të Republikës për dekretim gjyqtarët Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Genti Shala, Gramoz Levanaj dhe kryegjyqtari i Gërdecit, Ridvan Hado. Emrat janë verifikuar nga stafi i ngushtë i kreut të shtetit dhe në datën 19 maj janë dekretuar si gjyqtarë në Apel, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi. Në datën 20 maj, Presidenti ka dekretuar për gjyqtar në Apelin Tiranë, kandidaturën e Gramoz Levanajt, ndërsa në datën 25 maj është dekretuar emri i gjyqtarit Artan Broci në Gjykatën e Apelit Tiranë. Sipas faqes zyrtare të internetit të Presidencës, në listën e emrave që ka propozuar KLD-ja për transferim në Apelin e Tiranës nuk ka figuruar gjyqtari Ridvan Hado. Sipas ligjit numër 9877, i miratuar në Parlament, më 18 shkurt 2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” afati për dekret është 30 ditë dhe pas skadimit të këtij afati, kandidatura quhet e rrëzuar. Nga zyra e Presidencës nuk ka asnjë njoftim zyrtar për mosdekretimin e kryegjyqtarit të Gërdecit, Ridvan Hado.

“Gërdeci”

Procesi gjyqësor i Gërdecit ka nisur në Gjykatën e Tiranës prej një viti, pasi më parë ishin zhvilluar disa seanca gjyqësore në Gjykatën e Lartë. Pas hedhjes së shortit, gjyqtar u caktuan Ridvan Hado, drejtues, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari anëtarë të trupit gjykues. Gjatë kësaj kohe, procesi ka vijuar normalisht me 28 të pandehur, të cilët akuzohen për “vrasje masive”, “shpërdorim detyre” e deri te “mosrespektimi i rregullave të sigurisë në punë”. Katër prej të akuzuarve gjykohen me masë arresti me burg, ndërsa pjesa tjetër gjykohen të lirë. Seancat gjyqësore zhvillohen dy herë në javë, respektivisht ditën e hënë dhe të premten. Megjithëse kanë kaluar rreth një vit që nga hapja e shqyrtimit gjyqësor, procesi është ende në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Seanca e fundit është zhvilluar ditën e premte, ku janë pyetur disa punonjës të repartit xhenio, të cilët kanë treguar se në fabrikën e demontimit në Gërdec ka pasur disa makineri të kësaj strukture që është brenda ushtrisë. Procesi ka ecur disi ngadalë, pasi në shumë raste avokatët, por kryesisht edhe Kolegji Penal i gjykatës, kanë munguar në seancat gjyqësore. Ankesa për vonesë të këtij procesi ka pasur edhe ndaj organit të akuzës, i cili ka pyetur disa dhjetëra dëshmitarë për një fakt, ndërkohë që, sipas gjykatës dhe avokatëve, duhet të vazhdohej me ritme të shpejta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›