E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi emërtohet si njeriu i padukshëm

Nikolas Sarkozi po përballet me një valë përqeshjesh në Francë, pasi ka deklaruar në mënyrë false se ai ka vizituar zonën e impiantit nuklear Fukushima, të shkatërruar nga cunami i vitit të kaluar. Presidentit francez tani është pagëzuar me emrin njeriu i padukshëm, sepse edhe dy vjet më parë ai deklaroi se ka qenë i pranishëm kur u rrëzua Muri i Berlinit, por kjo rezultoi e pavërtetë, ai e kishte vizituar Murin e Berlinit, por jo në atë periudhë. Deklarata e tij u bë para rreth 5 mijë mbështetësve që sulmuan rivalin e tij socialist, Fransua Holande, i cili dëshiron ta kthejë në skrap impiantin më të vjetër nuklear të Francës. Sarkozi ishte lideri i parë i botës që vizitoi Japoninë, pasi ajo u godit nga cunami dhe tërmeti 9 ballë i marsit të vitit 2011. Por gazetarët e Le Monde, që e kanë shoqëruar atë në këtë udhëtim, thanë se ai nuk është larguar asnjë moment nga Tokio gjatë vizitës në Japoni. Rivali i Sarkozisë, Holande, tha se kjo është hera e parë në histori kur një President francez flet për një udhëtim që nuk e ka bërë kurrë. Ka gjysmë të vërteta, që më pas kthehen në gënjeshtra shpërthyese, theksoi Holande që udhëheq sondazhet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›