Rona mban sekret performancën në Eurosong
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Europian, Rona Nishliu, që këtë vit mbahet në Azerbajxhan është shprehur e lumtur dhe e nderuar që do të përfaqësojë shqiptarët në Eurovizion.
Gjatë një interviste për trend.az, Rona ka mbajtur sekret duke mos thënë asnjë fjalë lidhur me performancën dhe paraqitjen e saj skenike në festival.
Ajo ka thënë vetëm se ky është një proces të cilit i është përkushtuar plotësisht, duke shijuar çdo fazë dhe duke fokusuar të gjitha energjitë e saj, pasionin dhe dashurinë në të.
Rona ka thënë ndër të tjera se, ajo do të bëjë më të mirën e saj për një paraqitje sa më dinjitoze.
Motoja ime në skenë është interpreto sikur të jetë hera e fundit në jetë. Si e tillë unë do të jap më të mirën time, për të ndarë me publikun zërin e vërtetë brenda shpirtit tim- ka thënë Rona.
Ajo e ka konsideruar vendimin për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, si një vendim në kohën dhe vendin e duhur. Rona ka theksuar gjithashtu se përfaqësimi në konkurse të tilla me këngëtarë të njohur apo jo, nuk është garanci për një sukses të mëvonshëm.